Nisma e bindur se do ta kalojë pragun

Nisma e bindur se do ta kalojë pragun

Koalicioni Nisma-AKR-PD ende nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat nuk përfshijnë votat me kusht, me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Në bazë të votave të numëruara deri tash ky koalicion në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 39 mijë e 495 vota apo 4.96%.

Pavarësisht kësaj, NISMA po shihet e përshtatshme për të formuar qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Ditë më parë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova në një deklaratë të dhënë për media ka thënë se nëse Nisma e kalon pragun atëherë LDK është e gatshme për bashkëpunim me këtë parti.

Këtë deklaratë të LDK-së e kanë mirëpritur nga Nisma Socialdemokrate. Fazli Hoxha anëtar i kryesisë së Nismës, tha për “Telegrafin” se partia e tij së bashku me partnerët e saj AKR dhe PD do ta kalojnë pragun zgjedhor.

“Sa i përket pragut zgjedhor NISMA Socialdemokrate me partnerët e saj AKR dhe PD do ta kalojë atë, duke u bazuar në faktet që po dalin se ka pasur manipulim me vota, ku subjekti ynë është dëmtuar në masë të madhe. Tash po shihet se pragu nuk është problem. Sipas informatave që kemi NISMA e ka kaluar pragun por kjo pritet të konfirmohet zyrtarisht nga KQZ-ja, me rastin e shpalljes së rezultateve përfundimtare. Ne si Nismë Socialdemokrate përshëndesim çdo deklaratë që vije nga zyrtarët e LDK-së, të cilët NISMËN e shohin si partnere për qeverinë e ardhshme”, është shprehur Hoxha.

Hoxha tregoi nëse kanë zhvilluar ndonjë takim deri tani me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Deri më tani nuk kemi pasur bisedime më LDK-në, për formimin e Qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Por sukseset e NISMË-s në Qeverinë e fundit janë arsye e LDK-së që ne të jemi pjesë e qeverisë së re. Sipas mendimit tim, Nisma do të jetë pjesë e Qeverisë së re, por këtë vendim do ta marrin organet e partisë”, ka theksuar ai.


MË SHUME NGA Nacionale