Poli i Veriut, stacioni satelitor që mbledh të dhëna nga orbita

Poli i Veriut, stacioni satelitor që mbledh të dhëna nga orbita

Mijëra satelitë rrotullohen në orbitë mbi Tokë për qëllime të ndryshme. Disa prej tyre vëzhgojnë shëndetin e planetit ku jetojmë dhe dërgojnë të dhënat në një pikë mjaft interesante në Polin e Veriut. Por vajtja atje për të mbledhur të dhënat e dërguara me satelitë nënkupton një udhëtim të vështirë dhe të akullt. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi sjell më shumë hollësi nga Arktiku.

Sa më pranë që i afrohesh Polit të Veriut, aq më mbresëlënëse janë Dritat e Veriut, fenomeni që njihet edhe si Aurora. Me zbardhjen e ditës mbi qytetin minator norvegjez Longyearbyen, dielli zbulon këtë bukuri magjepësëse. Ole Petter drejton Stacionin Storstad Svalsat, KSAT.

“Ky stacion është shumë i veçantë pasi kemi një vendndodhje të përsosur për të ndjekur mjetet ajrore polare gjatë 14 rrotullimeve që kryejnë në orbitë.”

Sherbimi Satelitor Kongsberg, shkurtimisht KSAT, drejton punën së bashku me Qendrën Hapësinore të Norvegjisë. Aty gjenden 80 antena gjurmuese të izoluara mirë që komunikojnë pa pushim me satelitët dhe

programin ‘Copernicus’ për monitorimin e mjedisit. Jenny Johnson është menaxhere e shërbimit që vëzhgon operacionet me KSAT.

“Të dhënat e mbledhura nga satelitët janë shumë të rëndësishme për shumë njerëz në mbarë botën kur flitet për motin, shëndetin dhe të ardhmen e planetit.”

Zona e largët veriore ofron komunikim të mirë me satelitët në orbitë, thotë Jenny Jonsson.

“Çdo 14 minuta satelitët vëzhgues janë të pranishëm në komunikimet tona.”

Gjatë kësaj kohe, hulumtuesit shkarkojnë të dhënat satelitore dhe ngarkojnë komandat e reja për mjetet orbitale. Por, jeta në këtë zonë të largët mund të vërë në provë guximin. I quajtur ndryshe si “Qyteti i Vitit të Gjatë”, kjo zonë është e errët plotësisht për dy muaj e gjysëm çdo vit dhe me temperatura të acarta./VoA


MË SHUME NGA Kuriozitete