Akuzat ndaj gjyqtarëve, Hasani: Kush ka fakte t’i dërgojë në Prokurori

Akuzat ndaj gjyqtarëve, Hasani: Kush ka fakte t’i dërgojë në Prokurori

Gjatë ditës së djeshme disa kryetarë të klubeve të Superligës së Kosovës dolën kundër gjyqtarëve dhe Federatës së Futbollit të Kosovës duke pretenduar për njëanshmëri në ndarjen e drejtësisë në disa ndeshje.

Kryetari i klubit të Feronikelit, Naser Ramaj, ai i Ballkanit, Arsim Kabashi dhe kryetari i klubit të Llapit, Beqir Batatina janë ankuar se të gjitha investimet e tyre janë duke shkuar dëm dhe e gjithë kjo po ndodh për shkak të disa personave në FFK dhe disa gjyqtarë.

Madje skuadra llapjane gjatë ditës së djeshme ka kërcënuar edhe me tërheqje nga Superliga e Kosovës. Më i zëshmi prej tyre ishte kryetari i klubit të Feronikelit, Naser Ramaj i cili ka thënë se shumica prej refërëve janë duke u blerë me shumë prej 2000, 3000 e 5000 euro.

Sot, Ramaj ka deklaruar për KosovaPress se të gjitha ato çfarë i ka thënë gjatë ditës së djeshme janë të vërteta. 

“Të gjitha ato çka i kamë thënë dje për fat të keq janë një realitet i hidhur i futbollit të Kosovës, madje këto po ndodhin në çdo ndeshje të futbollit”, tha Ramaj.

Ndërsa kryetari i referëve të Kosovës, Përparim Hasani në një intervistë për KosovaPress iu është përgjigjur këtyre akuzave duke thënë se të gjithë ata që kanë fakte, le t’i deponojnë ato në Prokurori dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës.Hasani shtoi se nëse ka fakte dhe del që ndonjë gjyqtarë i korruptuar, ai refer nuk ka vend në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe automatikisht do të përjashtohet.

Hasani gjithashtu theksoi se referët në Kosovë janë në mbikëqyrje të UEFA-s dhe FIFA-s dhe së në të gjitha seminaret e mbajtura nga institucionet më të larta të futbollit në Kosovë janë cilësuar si të suksesshme nga të dërguarit e tyre.

Mbetet të shihet në të ardhmen, nëse kryetarët e klubeve do të dërgojnë faktet e tyre në organet kompetente për akuzat drejtuara gjyqtarëve dhe komisionit të gjyqtarëve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.