Për herë të tretë shpallen fajtorë ish-zyrtarët e BSPK-së, dënohen me kusht

Për herë të tretë shpallen fajtorë ish-zyrtarët e BSPK-së, dënohen me kusht

Për herë të tretë janë shpallur fajtorë ish-zyrtarët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani, të akuzuar për përvetësim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

I akuzuari Bahri Shabani është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh.

Kurse, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani, janë dënuar me një vit burgim me kusht, me afat verifikimi prej dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shabani është obliguar që të paguajë dëmin e shkaktuar BSPK-së në shumë prej 11500 euro, i akuzuari Emini shumën prej 7.060,20 euro, kurse Rrahmani të kompensojë BSPK-në në shumë prej 5536,60 euro, të gjitha këto brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.

Të akuzuarit janë obliguar që t’i paguajnë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të jenë sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate, derisa shpenzimet në emër të paushallit gjyqësor, secili veç e veç, të paguajë shumë prej 200 euro, brenda afatit ligjor, pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, pas shpalljes së aktgjykimit, ka bërë një elaborim mbi arsyetimin e këtij vendimi.

“Nuk kemi gjet tjetër, përveç asaj që kemi konstatuar në aktgjykimin e parë në këtë çështje penale, deklarimet e njerëzve, dëshmitarëve janë irrelevante, në fund të fundit krejt janë provat materiale hyrje e daljet. Askund në botë nuk mund të thuhet se jepen huazimet dhe kthehen subvencione. Paramendoni prezantohet një kontratë që kurrë në asnjë regjistër nuk gjendet në regjistrin e Ministrisë kërkund. Si është e mundur një person aq i lartë zyrtar të lidh kontratë dhe kontrata të mos gjendet askund”, ka deklaruar gjykatësi Kalludra.

Ai ka  thënë se si është e mundur që janë pranuar huazimet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por që ajo nuk po thotë huazime.

“Jepen huazimet kthehen subvencionet. Ekziston një procedurë shumë e dëshmuar e MPMS që ato 26 mijë a sa pare janë dhënë për ndihmë BSPK-së në formë subvencioni, por askund nëse gjendet një dëshmi në ministri që ato pare janë hi, unë nuk punoj ktu mo, nuk m’len ndërgjegjja”, ka thënë ai.

Ai tha se ka qenë i detyruar të respektojë vërejtjet e Gjykatës së Apelit dhe se sipas tij “kush e ka lexuar aktgjykim e parë, aty e ka thënë vet dëshmitari se nënshkrimi është aq i përafërt me timin e se nuk mund ta kundërshtoj që nuk është i imi.”

“E kam analizuar si të mirëqenë, se vërtetë është nënshkrimi i tij. Veli Lecaj nuk e ka nënshkru atë kontratë në emër të vet, e ka nënshkruar si përfaqësues i një ministrie. Nëse ju e dëshmoni që ndonjë ministri shkon pa u protokollu, pa u regjistru e arkivu ndonjë shkresë zyrtare, unë nuk do të di a do t’i them vetes gjyqtar mo a jo”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëse Veli Lecaj e ka nënshkruar kontratën, nuk e ka nënshkruar në bazë të autorizimeve ligjore, por në bazë të privatësisë.

“Kam thënë dhe mbetem pranë këtij konstatimi se përderisa nuk ka dëshmi që ai person ka vepruar në bazë të autorizimeve të ministrisë dhe kjo vërtetohet se kontrata nuk është gjend kurrë dhe ato mjete nuk janë kthy në formë huazimi, po subvencioni”, ka deklaruar gjykatësi Kalludra.

Sipas tij, ai mund ta ketë nënshkruar kontratën, por në cilësi private, pasi siç ka thënë, në cilësi të personit zyrtar nuk e ka nënshkruar dhe e njëjta nuk është askund në institucion.

“Do të them gjithmonë, nëse është kështu, është punë e prokurorisë, ne nuk mund ta zgjerojmë aktakuzën ndaj Veli Lecaj për nënshkrim e përvetësim në bashkëveprim se do t’i binte në bashkëveprim”, ka thënë ai.

Sipas tij, jepen para nga kompania “Agro Llapi”, e askund nuk ka pasur dëshmi që janë dhënë, e pastaj paratë kthehen në formë huazimi.

Paraprakisht, para shpalljes së aktgjykimit, palët në procedurë kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare para trupit gjykues, ku prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarve e mbrojtja lirimin e tyre.

Prokurori Rafet Halimi, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, me administrimin e provave, dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar edhe njëherë gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë, se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barë.

Ai ka thënë se sa i përket provave materiale e kundërshton ekspertizën financiare të datës 28 shkurt 2019, për shkak se konsideron se kjo ekspertizë është kryer mbi dokumente që nuk u dihet origjina, siç është kontrata mbi huazimin e mjeteve financiare e datës 11 nëntor 2015.

“Pasi që e njëjta nuk është gjetur në arkivin e ministrisë dhe as në librin e protokollit të saj.  Nuk është gjetur se është kryer ndonjë transaksion financiar sipas kësaj kontrate. Nuk ekziston asnjë dëshmi mbi pranimin dhe kthimin e këtyre mjeteve financiare që korrespondon me këtë kontratë dhe për prokurorinë ky dokument i quajtur kontratë është inekzistent”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kundërshton edhe ekspertizën e grafologjisë të datës 9 janar 2019, që është bërë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, duke përsëritur se edhe ajo është kryer mbi dokumente të cilat nuk janë valide.

“Por, edhe nëse Agjencia ka gjetur se nënshkrimi në këtë kontratë përputhet me karakteristikat e nënshkrimit të zyrtarit të Ministrisë, Veli Lecaj, i njëjti edhe gjatë dhënies së dëshmisë ka deklaruar se të njëjtën asnjëherë nuk e ka nënshkruar, por edhe nëse Agjencia ka ardh në përfundim se ka qenë nënshkrimi i njëjtë, ky zyrtar i Ministrisë asnjëherë nuk ka poseduar ndonjë autorizim që ta nënshkruajë këtë dokument”, ka deklaruar prokurori Halimi.

Prokurori Halimi, ka thënë se kundërshton edhe ekspertizën financiare, sa i përket pikave të tjera me të njëjtën arsye, sepse edhe gjatë dhënies së dëshmisë së ekspertit financiar, Riza Blakaj, sipas tij, nuk ka mundur të arsyetojë konstatimet dhe mendimet të cilat i ka dhënë në ekspertizë.

“Ndërsa, sa i përket dëshmisë së dëshmitarëve të dëgjuar në shqyrtim gjyqësor konsideroj se asnjëri prej tyre nga dëshmitë e dhëna nuk i ka ndihmuar gjykatës për ndriçimin e kësaj çështje”, ka thënë ai.

Avokati mbrojtës i Bahri Shabanit, Basri Jupolli  ka thënë se akuza si e kanë konfirmuar dy vendimet e Apelit ka mbetur e paargumentuar në kuptim të të provuarit të veprimeve konkrete të të akuzuarve që lidhet me përvetësimin e kundërligjshëm, apo shkaktimin e dëmit tjetrit

“Në të vërtetë edhe ekspertizat financiare, që të dyja, e faktikojnë se nuk kemi palë të dëmtuar. Si është e mundur që dikush të fajësohet kur asnjë palë e dëmtuar nuk ka asnjë dëmtim”, ka thënë ai.

Avokati Jupolli ka deklaruar se sidomos me dëgjimin e ish-kryetarit të BSPK-së, Haxhi Arifi,  është theksuar qartë se arka në raport me të mbrojturin e tij është mbyllur.

“Nuk kemi asnjë kërkesë të natyrës materiale me asnjërin. Po i referohem ekspertizës grafologjike, ka thënë shumë qartë nënshkrimet në kontratë janë autentike të personave të autorizuar për nënshkrimin e saj, më konkretisht nënshkrimi i Veli Lecaj është konfirmuar”, tha ai.

Sipas tij, nuk mund të flitet në asnjë mënyrë për përfitim të kundërligjshëm, duke shtuar se edhe vet Gjykata e Apelit thotë se nuk janë vërtetuar elementet e bashkëkryerjes.

“Kërkoj nga trupi gjykues që të marr aktgjykim lirues sepse përtej dyshimit të bazuar nuk është vërtetuar asnjë fakt, asnjë provë që i mbrojturi im ka kryer veprën penale që i vihet në barrë”, ka deklaruar ai.

Mbrojtësi i Sami Rrahmanit, avokati Ali Beka, ka deklaruar se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim në gjykimin e parë.

“Për mua është bajagi një precedent kjo çështje penale sepse po konsideroj se nuk kemi me të vërtetë palë të dëmtuar që ka paraqit kërkesë pasurore juridike, përderisa nuk e kemi një kërkesë, po më duket që nuk është në rregull”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse bëhet referimi në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet që duke filluar nga gjykata, prokuroria, policia, të gjitha faktet duhet të vërtetohen saktë, shtrohet pyetja “A thua në këtë çështje penale u vërtetuan saktë”.

“Së pari me hetu te MPMS se kush ka nënshkru, e marr ato mjete, se nuk merret nga një zyrtar, ai ka thënë as se mohoj, as pohoj, po dul ekspertiza e tha se i tij ka qenë nënshkrimi. Nëse gjykata ka mëdyshje me huazimin qoftë te MPMS e ‘Agro Llapi’ duhet të interpretohen vetëm në favor të pandehurve, sepse nuk ka qysh, ka qenë një person që e ka përpilu atë kontratë, kush e ka përpilu, e ka nënshkru dikush atë kontratë”, ka thënë ai.

Sipas tij, sindikata nuk ka paraqitur kërkesë pasurore dhe është e dyshimtë nëse i mbrojtësi i tij është person zyrtar.

Me diskutime mes kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, e avokatit mbrojtës të Rrahman Eminit, Ali Latifi është përcjell fjala përfundimtare e dhënë nga ky i fundit.

Avokati Latifi, ka deklaruar se ai është i hendikepuar sepse procesverbalet që janë mbajtur për këtë çështje penale, nuk i janë dorëzuar dhe kjo nuk është hera e parë, por hera e shtatë që ka ndodhur një gjë e tillë.

“Në përjashtim të këtij kolegji të anëtarëve të ri të cilët janë, kërkoj falje prej tyre se nuk kanë qenë në këtë proces, por nuk ka qenë as prokurori i nderuar dhe as prokurorët e mëparmë të këtij procesi, nuk kanë mundur të vërtetojnë aktakuzën ashtu si e parasheh Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Avokati Latifi ka thënë se në materialin e dërguar me shkrim ka përmendur deklaratën e prokurorit Halimi, me rastin e dëgjimit të ekspertit financiar, Riza Blakaj, ku prokurori sipas tij, kishte thënë se të gjitha të dhënat në ekspertizë janë bazuar në dokumentacione false dhe jo të vërteta.

“Mirëpo, sot prokurori i shtetit përafërsisht e përsëriti të njëjtën qëndrim duke aluduar në ekspertizën, e cila është kërkuar ex–officio nga ana e kësaj gjykate”, ka thënë ai.

Ndërkaq, gjykatësi Kalludra, deklaroi se gjykata nuk ka kërkuar ekspertizë ex-officio, por ka qenë propozim i palëve.

“Për veprime keni të drejtë me bo ankesë te kryetarja e gjykatës dhe trupit gjykues. Këtu për çështje penale do të diskutohet, për mua, për personalitetin tim diskutohet tjetërkund”, ka thënë gjykatësi Kalludra.

“E kam bo, kurrë nuk kam kërkuar prej teje përjashtim”, ka deklaruar avokati Latifi.

E më pas gjykatësi Kalludra tha se kërkon nga avokati Latifi t’i përmbahet fjalës përfundimtare me një çështje penale dhe të mos merret me etiketime në vazhdimësi të kryetarit të trupit gjykues.

“Nëse do të ishin të bazuara këto pretendime të tani mbrojtësit, kryetari i trupit gjykues e vë edhe njëherë në dijeni këtë mbrojtës dhe ia rikujton se kjo çështje penale është duke u gjykuar për të tretën herë, çka do të thotë se në tri shqyrtime, në tri faza të zhvillimit të procedurës penale keni pas më shumë se kohë të mjaftueshme për ta vënë në pikëpyetje kredibilitetin, ndërgjegjen, etikën dhe profesionalizmin e këtij kryetari gjykues në rrugë të tjera”, ka thënë ai.

Ai më pas ka kërkuar nga avokati Latifi që të vazhdojë me fjalën e tij përfundimtare, e ky i fundit ka shprehur falënderim.

Mirëpo, gjykatësi Kalludra deklaroi se nuk lejon falënderim nga ai, përderisa e atakon.

“Unë po kërkoj, ti nëse e pranon”, ka thënë avokati Latifi.

“Nuk i pranoj falënderimet e juaja, është e sata herë që kërkoni përjashtim”, ka thënë gjykatësi Kalludra.

E avokati Latifi ka deklaruar se nuk është e vërtetë se ka kërkuar përjashtim të tij si kryetar i trupit gjykues, kurse gjykatësi Kalludra vazhdoi duke thënë se avokati duhet të vazhdojë me fjalën përfundimtare e se nuk e pranon falënderimin e tij.

“Pas kësaj vërejtje  po ju them se drejtësia nuk ndërtohet me inat, nuk do të vazhdoj më tej sepse të gjitha vërejtjet që i kam dhënë janë shkelje drastike të Kodit të Procedurës Penale dhe ato i kam dhënë të gjitha me shkrim”, ka thënë avokati Latifi.

E gjykatësi Kalludra e ka pyetur se sa herë e ka dërguar në zyre të prokurorit disiplinor.

“Nuk kam kërku përjashtim të kryetarit të trupit gjykues, po nëse vazhdon kështu do të jem i pari që do të kërkoj, duke përjashtu anëtarët e kolegjit që nuk janë fajtor për këtë rast”, tha avokati Latifi.

Më pas, avokati Latifi nuk vazhdoi me fjalën e tij përfundimtare, duke thënë se atë e ka dorëzuar në formë të shkruar.

Kurse, Rrahman Emini tha se pret nga gjykata që ta lirojë nga akuza.

“Të gjitha këto dokumente, ekspertiza financiare, dokumente valide e edhe dëshmitarë më në fund gjykata do të besoj që do të vërteton se jam i pafajshëm”, ka thënë ai.

Ndërkaq, dy të akuzuarit tjerë kanë mbështetur fjalët e mbrojtësve të tyre dhe nuk kanë shtuar asgjë më shumë.

Gjykata e Apelit, dy herë këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Kjo gjykatë kishte vlerësuar që në rigjykim duhet të evitohen shkeljet, të administrohen të gjitha provat e të bëhej angazhimi i ekspertit financiar dhe grafologjik ose të merret për bazë ekspertiza financiare ekzistuese.

E sipas shkallës së dytë nëse paraqiten kundërthënie në mes ekspertizës financiare dhe asaj ekzistuese, atëherë drejtpërdrejtë duhet të bëhet dëgjimi i dy ekspertëve në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, më 17 shtator të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte shpallur për herë të dytë fajtorë të akuzuarit.

Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që brenda 15 ditësh t’ia kompensojë BSPK-së, shumën në vlerë prej 11.500 euro.

Kurse, Sami Rrahmani ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, si dhe ishte  obliguar që BSPK-së, t’ia kompensojë dëmin prej 7060.20 euro.

Ndërsa, Rrahman Emini, ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që BSPK-së t’ia kompensojë shumën në vlerë prej 5536.60 euro.

Në aktgjykimin e shpallur, gjyqtari Beqir Kalludra, dënimi me burgim ndaj tre të akuzuarve nuk do të ekzekutohej, nëse të njëjtit nuk kryenin ndonjë vepër penale brenda dy vjetësh.

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në nëntorin e vitit 2016, i kishte shpallur fajtorë tre ish-zyrtarët e BSPK-së. Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, Sami Rrahmani me një vit burgim me kusht dhe Rrahman Emini me një vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Por, ky dënim me burgim, nuk do të ekzekutohej nëse personat në fjalë, nuk do të kryenin vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh.

Por, pas ankesave të mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 21 maj të vitit 2014, të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës si persona zyrtarë në selinë e BSPK-së në Prishtinë dhe atë Bahri Shabani, si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini, si përgjegjës për financa dhe Sami Rrahmani.

Në aktakuzë thuhet se në bazë të urdhrit të pandehurit Shabani, i pandehuri Emini me urdhër të arkës nr.112 të datës 11 nëntor 2006 dhe kontratës nr. 308 të datës 11 nëntor 2005 kanë tërhequr nga arka si huazim për MPMS shumën e parave prej 11 mijë e 500 euro, të cilat i ka pranuar i pandehuri Rrahmani. Ndërsa, kontrata në fjalë thuhet se nuk ekziston në MPMS, me çka këto mjete i kanë përvetësuar, duke e mbyllur arkën nr.49 më 28 shtator 2006, në emër të kthimit të huazimit nga MPMS, e që në bazë të llogarisë së BSPK, më 28 dhjetor 2005 në emër të përgatitjes së kongresit të IV të BPSK-së, nga i pandehuri Rrahman Emini është bërë tërheqja e mjeteve nga arka e BSKP në vlerë prej 7.006.02, në emër të kinse në emër të kthimit të huazimit për ndërmarrjen private “Agro Llapi”.

E kjo, sipas aktakuzës, duke referuar një kontratë inekzistente është bërë tërheqja e mjeteve sipas nr të arkës 003/06  i datës 19 janar 2006, në shumë prej 5.553.60 euro në emër të gjoja kthimit të huazimit për këtë ndërmarrjen “Agro Llapi”, të cilat i ka pranuar Sami Rrahmani.

Por, ky huazim thuhet se nuk ekzistonte dhe këto mjete të pandehurit i kanë përvetësuar.

Tutje, thuhet se i pandehuri Shabani më 1 dhjetor 2004 ka marr një kredi në BPB në Prishtinë në emër të BSPK-së në shumë prej 5000 euro dhe ato mjete i ka shpenzuar për nevoja të veta private dhe se të njëjtët kredi e ka kthyer në vitin 2007, kur ka filluar ndërmarrja e veprimeve hetimore në këtë rast, me ç ‘rast thuhet se BSPK-së i kanë shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi