Kohë lufte

Kohë lufte

Mehmet Yaşin

Flisja më vete mos më dëgjonin

në heshtjen time hetohej urtësia!

Duhej fshehur, turqishtja ish e rrezikshme,

e greqishtja ndalohej rreptësishtë.

Prindërit donin të më shpëtonin

dhe rrinin gati si mitraloz.

Atëkohë secili ishte vullnetar.

Anglishtja në mjedisin tim

qe si thikë e hollë për prerje librash shkollorë

ajo duhej të flitej veçmas me grekët.

Shpesh kam pyetur veten në cilën gjuhë të qaj,

ta jetoja jetën e huaj apo jetën e përkthimit,

gjuha amtare për mua ishte tjetër, tjetër ishte atdheu

e unë një i tretë.

Në ato ditë errësimi shihej qartë

se s’mund të isha poet i asnjë vendi,

sepse i përkisja pakicës e “liria” ishte veç një fjalë

që s’mund të futej në fjalorin e asnjë kombi.

Së fundi të tri gjuhët u ndërthurën në poezitë e mia

e më dukej se nuk hetoheshin

as nga turqit, as nga grekët, as nga ata të tjerët...

Nuk fajësoj askënd, ishte kohë lufte.

(Përktheu: Salajdin Salihu)

 

Arodes, Baf, 1991