Çifti më i lumtur

Çifti më i lumtur

Tawfiq Al-Hakim

U ul për të dëgjuar radio nga e cila dilte një zë i bukur: “E vendosim mishin në tenxhere, mandej e mbushim me patate... i shtojmë qepë...”, e të tjera gjëra që u përmendën atë ditë në programin e amvisërisë. 

Duke e dëgjuar këtë, zemra sa s’i fluturonte nga mallëngjimi, prandaj nuk mund të duronte më. 

Ia shprehu haptazi familjes dëshirën e tij: “Më duhet të martohem me këtë grua eksperte të ushqimit”. 

“A e njeh?”

“Jo, nuk e njoh, përveç zërit të saj të ëmbël... ajo po ma dridh zemrën”. 

Heroi ynë ishte prej të tillëve të cilët nuk bënin dallim mes zemrës dhe lukthit...

Kështu, kur e pyeste mjeku ndonjëherë: “Ku e ke lukthin?” ai bënte me shenjë nga zemra... e kur e pyeste: “Ku e ke zemrën?” ai bënte me shenjë nga lukthi.

Pra, gruaja që dëshironte t’ia pushtojë zemrën, duhet ta njihte fillimisht rrugën për te lukthi... e kur ta pushtonte atë, atëherë zotëronte gjithçka. 

Martesa u bë. Kaluan edhe ditët e para. Burri fluturonte nga gëzimi duke pritur ditën kur gruaja e tij do të hyjë në kuzhinë për t’i përgatitur ato ushqime të shijshme që i përshkruante në radio.

Më në fund erdhi dita e shumëpritur. Gruaja hyri në kuzhinë. Burri u gëzua dhe filloi të lutet për të. Priste me përmallim duke menduar për ushqimin e shijshëm i cili do ta bëjë të lumtur. 

Mirëpo, gruaja u vonua gjatë në kuzhinë. Burri priti një orë... mandej edhe një orë... edhe një orë... derisa u lodh nga pritja. Pas pak, gruaja doli nga kuzhina, e mbuluar nga djersët dhe i tha:

“Me keqardhje, të kam përgatitur vezë të fërguara, që të mos të ta vonoj ushqimin”.

Nuk mund t’u besonte fjalëve të saj, megjithatë e përmbajti veten. Në asnjë mënyrë nuk i shkonte në mendje se gruaja e tij nuk dinte t’i përgatiste ato ushqime që i prezantonte në radio.

U ul në tryezë dhe filloi të hajë vezë por, ç’të shohë?! Vezët ishin djegur.

Kur u bë ora katër, gruaja shpejtoi për të dalë nga shtëpia sikur kishte një takim të rëndësishëm. 

Në orën pesë burri u ul i vetmuar për të dëgjuar radio, kur ja gruaja e tij po u fliste dëgjuesve me zërin e ëmbël:

“E vendosim mishin në tenxhere... etj”.

Burri i gjorë mendoi për një çast dhe nuk dinte çfarë të bënte, a të qesh, apo të qajë?

 

(Përktheu: Jahja Honduzi)