KGJK-ja kërkonë rritjen e numrit të gjykatësve

KGJK-ja kërkonë rritjen e numrit të gjykatësve

Kryetari i Gjykatës së Apelit dhe krerët e shtatë Gjykatave Themelore të Kosovës, kanë raportuar për numrin e lëndëve që kanë pranuar në punë dhe që i kanë zgjidhur për periudhën prill-shtator 2019.

Krerët e këtyre gjykatave, raportet e tyre i kanë paraqitur në mbledhjen e 225 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që është mbajtur të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para anëtarëve të KGJK-së, ata kanë deklaruar se gjykatat e tyre, gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, kanë pasur rezultate shumë të mira, pasi kanë zgjidhur lëndë më shumë sesa që kanë pranuar.

Përveç raportimeve mbi punën gjashtëmujore, ata kanë paraqitur edhe kërkesa për KGJK-në, që të rritet numri i gjyqtarëve, e po ashtu edhe stafit mbështetës.

Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, tha se kjo gjykatë ka aktualisht 54 gjyqtarë, ndërsa në periudhën raportuese, kanë pranuar në punë 11.947 lëndë, ndërsa sipas tij, janë arritur të zgjidhen 12.388 lëndë.

Shala, tha se rritja e numrit të gjyqtarëve në Gjykatat Themelore, ka ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve në Gjykatën e Apelit, pasi sipas tij, në krahasim me vitin e kaluar për këtë periudhë raportuese kanë ardhur për çdo muaj 300 lëndë më shumë.

Kurse, tha se arsye tjetër për rritjen e numrit të gjyqtarëve është edhe ajo se deri në fund të vitit do të dalin në pension tetë gjyqtarë të Apelit.

Ai po ashtu bërë kërkesë që të rritet edhe numri i stafit mbështetës të gjykatësve, duke rekomanduar që praktikantëve të gjykatave t’iu jepet një pagesë prej 150 eurosh, për shkak se sipas tij, ata kanë bërë një punë të madhe.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti tha se kjo gjykatë në këtë periudhë gjashtëmujore ka pasur një efikasitet të madh në zgjidhjen e lëndëve.

Sipas tij, në periudhën prill-qershor të këtij viti, janë pranuar 3236 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 4867, që sipas tij, ka një efikasitet prej 150 %, duke zgjidhur më shumë lëndë sesa që kanë pranuar.

Ndërsa, rezultate të ngjashme, por me një numër më të ulët të zgjidhjeve të rasteve, ka shënuar tremujori i tretë i këtij viti korrik-shtator, pasi Hotit, nga 3385 lëndë të pranuara, kanë zgjidhur 3170 lëndë, por sipas tij, në këtë përqindje më të ulët në këtë tremujor kanë ndikuar pushimet e verës.

Ai tha se janë të kënaqur me numrin e gjyqtarëve, por kërkoi që të rritet numri i tyre në Departamentin Special, pasi sipas tij, janë vetëm dy trupe gjykuese dhe se ata gjykojnë edhe në procedurë paraprake dhe se po ndikon që të përjashtohen nga trupet gjykuese.

Për Departamentin Special, Hoti po ashtu propozoi që të rritet numri i stafit mbështetës.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, e vlerësoi të suksesshëm punën e gjykatës që ai udhëheq gjatë kësaj periudhë raportuese, ndërsa si problematikë të kësaj gjykate, ai tha se mbetet hapësira e vogël e saj.

Sipas tij, deri më tani nuk kanë hasur në mirëkuptim me kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, për të gjetur një lokacion të përshtatshëm.

Edhe ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sami Sharraxhiu deklaroi se edhe kjo gjykatë ka mungesë të hapësirës dhe nuk kanë gjetur mirëkuptim me kryetarin e Komunës, Gazmend Muhaxherin, që gjykatën ta zhvendosin në një objekt të ri, ndërsa shtoi se edhe kjo gjykatë ka një efikasitet të mirë në zgjidhjen e lëndëve

Kryesuesi i KGJK-së Skender Cocaj, deklaroi se sikurse Prizreni dhe Peja, edhe Gjykata e Mitrovicës ka një mungesë të hapësirës, por deri më tani nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje me kryetarët e këtyre komunave, por që sipas tij, do të synohet që kjo të rregullohet se shpejti.

Ndryshe, nga Sharraxhiu dhe Hoxha, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, deklaroi se kjo gjykatë nuk e ka problem gjetjen e pronës për gjykatën e re, por problem sipas tij, mbetet mos përfundimi i punëve në objektin e ti, pasi siç tha ai, ka përfunduar vetëm ndërtimi i vrazhdë, ndërsa brendësia ka mbetur e papërfunduar.

Ai kërkoi që në këtë gjykatë të rritet numri i gjyqtarëve.

Rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës e posaçërisht të përkthyesve e kërkuan edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi dhe ai i Gjykatës Themelore në Mitrovicë Nikolla Kabashiq.

Kryetari i Gjykatës së Gjilanit, Ramiz Azizi, deklaroi se gjykata që ai drejton në tremujorin e dytë të këtij viti, ka pasur një efikasitet të zgjidhjes së lëndëve prej 116 %, ndërsa në tremujorin e tretë 114 %, por edhe me këtë sipas tij, ai si kryetar nuk është shumë i kënaqur.

Kryetari i Themelores në Ferizaj, Bashkim Hyseni, deklaroi se kjo gjykatë ka pasur një efikasitet të madh të zgjidhjes së lëndëve, pasi në divizionin penal të Departamentit të Përgjithshëm në tremujorin e dytë, sipas tij, ka pasur një zgjidhje të lëndëve prej 192 %, atë të krimeve të rënda 152 % dhe 122 % në divizionin civil.

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, deklaroi se në aspektin e përgjithshëm statistikat janë shumë pozitive, pasi janë zgjidhur numër i madh të lëndëve, por sipas tij, problemi i numrit të madh të lëndëve në gjykata është se rreth 40 %  e numrit të përgjithshëm të të gjitha gjykatave, janë lëndë në kundërvajtje dhe përmbarimore.

Ai u kërkoi udhëheqësve të gjykatave një mobilizim më të madh që këto lëndë të përfundohen më shpejt.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KGJK-së, po ashtu morën vendim për shpalljen e konkursit për kryetarë të Gjykatës  Themelore në Gjakovë dhe Gjykatës Themelore në Pejë

Pika të rendit të ditës së kësaj dite ishte edhe rekomandimi për caktimin e gjyqtarëve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe themelimi i dy paneleve hetimore, por këto pika u trajtuan me dyer të mbyllura. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi