Ish-shefi i Inspeksionit në Drenas dënohet për herë të tretë

Ish-shefi i Inspeksionit në Drenas dënohet për herë të tretë

Për herë të tretë, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka gjetur fajtor për keqpërdorim detyre, ish-shefin e Inspeksionit në Komunën e Drenasit, Halim Vrellakun.

Vrellaku sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai  brenda një viti nuk kryen ndonjë vepër të re penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ai është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro, ndërsa pala e dëmtuar, përkatësisht Komuna e Drenasit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest Civil.

Në këtë proces gjyqësor, bashkë me Vrellakun, lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare ka qenë e përfshirë edhe ish-drejtoresha e Inspeksionit në Komunën e Drenasit, Hyrije Xhemajlaj-Thaqi, por ajo në procesin e rigjykimit më 8 maj 2018, ishte liruar nga akuza, të cilin vendim e kishte vërtetuar më pas edhe Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e parë, të 30 gushtit të vitit 2017, e kishte dënuar me 10 muaj burg të akuzuarën Hyrije Xhemajlaj-Thaqi.

Kurse, Halim Vrellaku për të njëjtën vepër penale ishte dënuar me një vit burgim me kusht, mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohej, nëse në periudhën prej dy vjetësh, ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Ndërkaq, të akuzuarin Izet Kukajn, Gjykata e kishte liruar nga akuza për kryerjen e veprës penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.

Por, Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2018, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim. sa i përket të akuzuarve Hyrije Xhemajlaj-Thaqi dhe Halim Vrellaku

Pas rigjykimit, më 8 maj 2018, gjykata e kishte liruar Xhemajlaj-Thaqi, ndërsa e kishte dënuar  Vrellakun me gjashtë muaj burgim me kusht, por Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve ligjore rastin ndaj tij e kishte kthyer përsëri në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendonte në aktakuzën e saj se Izet Kukaj, në mënyrë të kundërligjshme e në vazhdimësi ka uzurpuar katin nën kulm në bllokun banesor nr.V, në rrugën “Adem Malaj” dhe “14 Qershori” në Drenas, pronë e komunës së Drenasit, në atë mënyrë që ka hequr kulmin e ndërtesës dhe në këtë hapësirë në sipërfaqe prej 1800 metra katror, ka ndërtuar një kat nën kulm, me gjithsej 14 banesa.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hyrije Xhemajli-Thaçi, akuzohej se duke qenë në pozitën e drejtoreshës së Inspeksionit Komunal në bashkëpunim me Halil Vrellakun, shef i Inspekcionit, i kanë sjellë fitim të kundërligjshëm organizatës “Elita A” me pronar Agron Kukaj, edhe pse të njëjtit kanë qenë në dijeni se janë bërë ndërtime pa leje. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi