Dënohet me kusht pasi gënjeu se është veterane e UÇK-së

Dënohet me kusht pasi gënjeu se është veterane e UÇK-së

Gjykata Themelore në Pejë, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, të akuzuarën për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme”, Rifadije Elshani.

Ky aktgjykim, është shpallur pasi që ajo ka pranuar fajësinë se kishte falsifikuar dokumentet për të përfituar nga skema pensionale për veteranët e UÇK-së, por që ka thënë se nuk kishte arritur që të merrte pension, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, dënimi me burgim ndaj saj, nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vjetësh.

Ndaj saj, është shqiptuar edhe dënimi plotësues për publikimin e aktgjykimit dhe është ngarkuar që të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 euro dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit, në shumë prej 30 euro.

Para leximit të aktakuzës, prokurorja Lumturije Vuçetaj, ka deklaruar se e bënë plotësimin e aktakuzës, duke shtuar se propozon që ndaj të akuzuarës të shqiptohet dënimi plotësues, përkatësisht që të bëhet publikimi i aktgjykimit.

Pas leximit të aktakuzës, e akuzuara Elshani, ka thënë se pranon fajësinë, duke shtuar se është penduar për veprën e kryer.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Vuçetaj, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 3 qershor 2019, Rifadije Elshani akuzohet se me 6 prill 2018, e deri në kohë të pacaktuar, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka tentuar ta vë në lajthim organin kompetent të lartcekur, që në dokumentin publik, ta vërtetojë një çështje të pavërtetë, raporton Betimi për Drejtësi.

Në akuzë thuhet që e pandehura ka prezantuar dokumente të falsifikuara dhe atë certifikatën mbi statusin e veteranit luftëtar, se kinse ajo është Veterane Luftëtare e UÇK-së, me qëllim që të përfitojë pagën e statusit të veteranit të luftës.

Sipas këtyre veprimeve, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi