Globalizimi njeh shumë fitues, por njeh edhe humbës

Globalizimi njeh shumë fitues, por njeh edhe humbës

Protestat kundër gjendjes ekzistuese që po shfaqen në shumë vende të botës mund të kenë shtysa të ndryshme, por pakënaqësia ka të njëjtën shkak kudo, thotë Alexander Görlach

Globalizimi njeh shumë fitues, por njeh edhe humbës. Dhe këta po demonstrojnë në të gjithë botën këto ditë: Hong Kong, Liban, Francë, Kili dhe Ekuador. Shkaqet e protestave janë të ngjashme: Në Liban një taksë për rrjetet sociale, në Hong Kong shtrenjtimi i qirave, në Kili rritja e çmimit të biletave të autobusëve, në Francë rritja e çmimit të benzinës. Për përfituesit e globalizimit në tre dekadat e fundit, është e pakuptueshme që shtrenjtimi prej disa centësh i një bilete autobusi të shqetësojë një milion njerëz. Jo se nuk kanë empati, por sepse bota e tyre është shumë larg nga bota e protestuesve. Këtë e dëshmon më së miri edhe polarizimi politik që vihet re në të gjithë botën. Votimi për Brexit-in, si edhe zgjedhja e Donald Trump-it kuptohen gjerësisht si protesta të atyre që ndjehen të izoluar nga zhvillimet shoqërore,

Neoliberalizmi si shkaku i së keqes?

Francis Fukuyama e ka përshkruar këtë në librin e tij të ri "Identiteti" si një ndjenjë "indinjate". Dhe me të vërtetë, si mund ta ndiesh ndryshe, kur nuk ia del as të blesh biletën për të shkuar në punë, e prapë duhet ta blesh, sepse në qytet banesat janë tepër të shtrenjta. Na është bërë refleks që shkakun ta shohim te neoliberalizmi. Kjo mund të mos jetë plotësisht e gabuar, por është vetëm gjysma e së vërtetës.

Në epokën tonë të globalizuar, kur burimet e Tokës po marrin fund, asnjë ekonomi globale e bazuar në rritje nuk mund ta ketë të gjatë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me privatizimet, që janë një nga shtyllat e neoliberalizimit. Por me faktin se aty ku nuk ka rritje, nuk ka interesa. Prandaj, edhe në vendet e pasura si Gjermania planet e kursimeve të pensionit që mbështeten në të ardhura nga depozitat me interesa nuk funksionojnë më. Fondet e pensionit dhe sigurimet investojnë në të vetmen gjë që është akoma e sigurt: beton.Dhe kështu, kërkesa për pasuri të paluajtshme po rritet në të gjithë botën, gjë që çon në rritje të çmimeve. Disa vëzhgues e shohin këtë si një nxitës kryesor të protestave në Hong Kong.

Prandaj ka shumë zëra që thërrasin për një rishtetëzim të ekonomisë edhe në SHBA, një vend dikur shpresëdhënës, i orientuar kah e ardhmja. Në vendin që pretendon të ketë mundësi të pafundme, ka zona të tëra të shkretuara dhe ku një pjesë e popullsisë jeton në varfëri.  Aty ku njerëzit për një vend pune dikur ishin të gatshëm të shkonin nga Alaska në Florida, sot shkojnë për të banuar te të afërmit për të mos përfunduar të pastrehë.

Ekonomia e tregut dhe kapitalizmi në qorrsokak

Ekonomia e tregut dhe kapitalizmi, funksionimi i të cilave - të paktën në demokracitë kushtetuese - janë liritë personale që supozohet të çojnë drejt mëvetësimit dhe arsimimit e  drejt prosperitetit, kanë përfunduar kësisoj në rrugë qorre. Kjo është arsyeja pse demokracia është në rrezik kudo, sepse pjesëmarrja politike nuk çon më në prosperitet dhe siguri financiare, siç premtonte demokracia e deritanishme. Për sa kohë që problemi nuk kapet nga rrënjët, në të ardhmen do të shohim më shumë dhe jo më pak protesta dhe trazira./DW

Alexander Görlach është  Senior Fellow i Carnegie Council për Etikë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Senior Research Associate në Universitetin e Cambridge-it në Institutin për Fenë dhe Studime Ndërkombëtare.