Eksperti financiar:Naser Osmani nuk i ka shkaktuar dëm OJQ-së “UFORK”

Eksperti financiar:Naser Osmani nuk i ka shkaktuar dëm OJQ-së “UFORK”

Eksperti financiar, Riza Blakaj ka thënë se ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Naser Osmani, nuk i ka shkaktuar dëm organizatës jo-qeveritare (OJQ) “UFORK”.

Këtë deklarim Blakaj e ka bërë në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-deputetit Osmani dhe Atdhe Gashit, ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, të cilët akuzohen për shmangie nga tatimi dhe për shpërdorim, në rastin që njihet ndryshe si fondi i 3%-shit.

Në këtë rast, akuzohet edhe ish-kryeministri Bukoshi, por procedura ndaj tij është veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë deklarimit të tij, eksperti Blakaj ka thënë se në ekspertizën e punuar, nuk ka konstatuar se i akuzuari Osmani i ka shkaktuar dëm OJQ-së “UFORK”.

Ai tha se, sipas dokumentacionit qe kishte pasur në dispozicion, i akuzuari Osmani nga viti 2004 kishte shkëputur marrëdhënien e punës me OJQ-në në fjalë, pasi ishte zgjedhur ne postin e deputetit të Republikës së Kosovës.

Mgjithatë, sipas tij, Osmani kishte vazhduar të jetë në cilësi të mbikëqyrësit të projektit të “UFORK-ut”.

“Me këtë ekspertizë, pas elaborimit të shkresave qe i kam pas në dispozicion, kam ardhë në përfundim se zotëri Osmani, përkundër që e ka shkëputur marrëdhënien e punës, në periudhën kontestuese ka vazhdu të jetë në cilësi të mbikëqyrësit të projektit të “UFORK”. Shërbimet e mbikëqyrjes sipas dijenisë sime kanë qenë vetëm formale, përndryshe autorizimi  për tërheqjen e mjeteve nga banka ka vazhduar të jetë aktiv, për faktin se nuk ka pasur ndonjë person tjetër ta zëvendësoj. I autorizuari kryesor për tërheqje të mjeteve ka qenë zotëri Atdhe Gashi ndërsa bashkë i autorizuar ka qenë Naser Osmani”, ka thënë Blakaj.

Tutje, eksperti Blakaj deklaroi se sa i përket periudhës kohore prej marsit 2006 e deri në vitin 2012, kishte ardhur në përfundim që ndryshimi në mes të hyrave dhe të dalurave gjatë kësaj kohe, përkatësisht shuma prej 791,48 euro ,ishte paraqitur si tepricë.

Sipas tij, deri te teprica e mbetur kishte ardhur nga regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve të dëftesave të arkës së OJQ-së, nga e cila kishte rezultuar se në vitin 2012 ka qenë tepricë shuma e lartcekur.

Pas deklarimit të ekspertit Blakaj, gjykatësja Medie Bytyqi ka kërkuar nga palët që të deklarohen lidhur me ekspertizat financiare të punuara nga eksperti Bujar Qorolli dhe Riza Blakaj.

Lidhur me këtë, prokurori Atdhe Demaj e ka kundërshtuar ekspertizën financiare të ekspertit Blakaj, me arsyetimin se e njëjta është punuar në aspekt anti-ligjor pa pasur vendim qysh e kërkon ligji dhe se sipas tij e njëjta nuk i plotëson kushtet në aspektin procedural.

Demaj ka propozuar që të merret parasysh ekspertiza financiare e punuar nga eksperti Bujar Qorolli, pasi tha se e njëjta është profesionale dhe i përmbush kushtet e lartcekura.

Ndryshe nga prokurori, mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, avokati Florent Latifaj e ka përkrahur ekspertizën e ekspertit Blakaj, me arsyetimin se është një ekspertizë e pavarur, e që sipas tij të njëjtën e ka pranuar gjykata dhe është e mbështetur në ligj, përkatësisht nenin 141, paragrafin 2 të Kodit të Procedurës Penale.

Kurse, Latifaj e ka kundërshtuar në tërësi ekspertizën e bërë nga eksperti Bujar Qorolli, duke thënë se është jo e plotë dhe e paligjshme.

Mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Gashi, avokati Arianit Koci ka thënë se në rast se gjykata ka ndonjë dilemë lidhur me të mbrojturin e tij, duke pasur parasyshë se ekspertiza e bërë nga Blakaj është e individualizuar vetëm për të akuzuarin Osmani, atëherë do të bëjë propozim për një ekspertizë të re, e cila sipas tij do të bëhet vetëm për të mbrojturin e tij.

Pas deklarimit të prokurorit dhe mbrojtësve, gjykatësja Bytyqi mori vendim që të caktohet një ekspertizë e re financiare, e cila sipas saj do të bëhet nga një grup ekspertesh, me arsyetimin se të dhënat e ekspertizave financiare të ekspertëve Qorolli dhe Blakaj ndryshojnë thellësisht nga njëra tjetra.

Në këto rrethana, ajo e ka ndërprerë shqyrtimin e së enjtes, por nuk ka caktuar datë për seancën e radhës.

Ndryshe, aktakuza ndaj Bukoshit, Osmanit dhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.

Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila  më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.

Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 28 prill 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmani për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1  të KPK-së.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Tutje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë project, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherit edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, Kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që ti deklaroj në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njejti ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.

Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjell vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi