Çmimet e disa barnave do të jenë rreth 30 për qind më të lira

Çmimet e disa barnave do të jenë rreth 30 për qind më të lira

Nga janari i vitit të ardhshëm hyn në fuqi Udhëzimi Administrativ për Rregullimin e çmimit të barnave dhe të produkteve të tjera medicinale, sipas të cilit, ato do të jenë rreth 30 për qind më të lira. Kështu tha për Radio Kosovën Shkumbin Isufi, kryesues i Komisionit për Barnatore në Odën e Farmacistëve të Kosovës.

Distributorët për furnizim me barna dhe pajisje të tjera medicinale në Kosovë, në afat i kanë paraqitur çmimet para komisionit përkatës për barnatoret në Odën e Farmacistëve të Kosovës, për barnat dhe produktet medicinale. Shkumbin Isufi, kryesues i këtij komisioni, tha për Radio Kosovën se çmimorja e barnave do të fillojë se aplikuari nga janari i vitit të ardhshëm.

“Mendohet nga janari-shkurti i vitit të ardhshëm do ta kemi çmimin në banderolë. Qytetari i Kosovës, do të ketë mundësi në çdo barnatore ekzistuese të blejë një bari me çmim të njëjtë. Qytetari përfiton shumë sepse mendohet për kursime të mëdha për xhepin e tyre. Diku për 10 milionë euro qytetarët do të blejnë barna më lirë se sa në vitet e kaluara”, tha Isufi.

Udhëzimi administrativ për unifikimin e barnave dhe produkteve medicinale, po mirëpritet edhe nga farmacistët e vendit. Visar Ademi, farmacist, tha se që nga paslufta në Kosovë, ka pasur keqpërdorime të shumta e që janë bërë në emër të farmacistëve.

“Qytetarët tani e tuje nga implementimi i këtij udhëzimi administrativ do t’i vlerësojnë shërbimet, ku ai do të përzgjedhë farmacistin e jo çmimin. Prej pasluftës degradimi qe ka ndodh vetëm me shitje të produkteve dhe konkurrenca e çmimeve, e ka degraduar shërbimin profesional të Kosovës. Me rritjen e konkurrencës profesionale të gjitha farmacitë do të kenë të punësuar vetëm farmacistë, për arsye që të ofrojnë shërbime sa më të mira për qytetarët”, tha Ademi.

Kjo është edhe një bazë ligjore e cila, njëherësh, e lufton edhe dukurinë e korrupsionit në sektorin farmaceutik në nivel vendi, tha Jusufi.

Autor: Vaide Morina