“Kosovo Theatre Showcase” - mbahet debati `Kosovari në Kornizë`

“Kosovo Theatre Showcase” - mbahet debati `Kosovari në Kornizë`

Në kuadër të edicionit të dytë të “Kosovo Theatre Showcase” është mbajtur diskutimi me temën `Kosovari në Kornizë` organizuar nga Qendra multimedia që ka për qëllim promovimin e identitetit të kulturës së Kosovës.

Nita Luci antropologe në Universitetin e Kosovës ka folur nga perspektiva e nevojave sociologjike për nevojat e dialogut gjithëpërfshirës pas vitit 1999 dhe specifikat e Kosovës si vend unik në Evropën Juglindore.

Për më tepër, antropologia Nita Luci tha se identiteti gjithmonë krijohet përmes shoqërisë dhe se nuk është një gjë që kemi apo bëjmë, por identitetit njëkohësisht duhet dhënë hapësirë.

Për rolin e identitetit në fushën e kulturës dhe muzikës ka folur kompozitori Ilir Bajri.  Ai tha se unikja e identitetit në përgjithësi  është ana biologjike dhe se sipas tij filmi dhe muzika pavarësisht se kush i prodhon, duhet të jenë autentike.

Ndryshe, edicioni i dytë i “Kosovo Theater Showcase” përfundon nesër. Në këtë edicion janë shfaqur së paku 6 shfaqje të prodhuara nga grupe të ndryshme teatrore në Kosovë, duke përfshirë edhe premierën e shfaqjes “Armiku i vërtetë i popullit” prodhuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë.

Përveç Prishtinës, showcase do të zhvillohet edhe në qytete tjera të Kosovës. Në këtë mënyrë, mysafirët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të rrallë për të parë jo vetëm tendencat më të fundit të skenës së teatrit të Kosovës, por edhe të shijojnë mikpritjen e madhe dhe peizazhin e bukur të Kosovës.

Ky edicion gjithashtu ka sjellë disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore.

Sivjet janë mirëpritur rreth 50 mysafirë ndërkombëtarë, duke përfshirë selektorë të festivaleve, kritikë të teatrit, gazetarë, shkrimtarë, drejtorë e admirues të teatrit nga e gjithë bota.