Pacientët në QKUK ende po blejnë barna

Pacientët në QKUK ende po blejnë barna

Pacientët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ende vazhdojnë të shpenzojnë para nga xhepat e tyre për barna të listës esenciale dhe materialit shpenzues.

Ndërsa, një gjë të tillë e mohon Basri Sejdiu, drejtor ekzekutiv i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Mungesa e barnave të listës esenciale po vazhdon të mbetët problem për qytetarët e vendit. Këtë vit Ministria e Shëndetësisë ka bërë riplotësimin e barnave të listës esenciale.

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Uran Ismaili, pati premtuar se kjo listë e re do të hynte në fuqi nga shtatori i këtij viti.

'Lista hyn në fuqi sot, lista nuk do të rrijë në letër asnjë ditë dhe për këtë premtojmë", tha ai.

Por, ndonëse kanë kaluar më shumë se 1 muaj, një gjë e tillë duket se nuk ka gjetur zbatim të plotë. Këtë e dëshmojnë familjarët e pacientëve.

"Nënën e kemi në Ortopedi, e kam blerë protezën edhe sot për sallë, kam blerë gjithçka që është e nevojshme. Ama bash krejt komplet çka është dashtë!", tha ai.

Por, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, mohon se ka mungesë të barnave të listës esenciale.

'Furnizimi me barna të listës esenciale mendoj që është mirë, kjo vërehet edhe në teren që ka furnizim dhe krahasuar me përudhen e kaluar furnizimi është me mbi 80% më mirë", tha ai.

Kur do të fillojë lista e re?

Nga aspekti teknik është duke u përgatitur, por besoj që planifikimi dhe tenderi do të shpallen me listën e re tani.

Sipas Sejdiut, probleme të theksuara vërehen të operatorët ekonomikë si dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit.

'Edhe ato mungesa që i kemi mund të them se janë për fajin e operatorëve ekonomikë si dhe procedurave të prokurimit që shumë tender zvarriten me muaj ku ka edhe raste me vite, në OSHP, tha ai

Që nga paslufta drejtues të institucioneve të sektorit të shëndetësisë, vazhdimisht kanë premtuar furnizim të barnave të listës esenciale, por deri më tani kjo nuk ka arritur të gjejë zbatim të plotë.

Autor: Vaide Morina Radio Kosova