Qeveria lokale në Prizren asnjë mbledhje prej gjashtë muajsh

Qeveria lokale në Prizren asnjë mbledhje prej gjashtë muajsh

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka disa muaj që nuk ka zhvilluar takime me përbërjen e plotë të qeverisë komunale. Mosmbajtjen e takimeve të Këshillit apo Bordit të drejtorëve e kanë konfirmuar zyrtarët e lartë të Ekzekutivit lokal.

Kjo çështje është ngritur në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, me ç’rast përgjigjja e kryetarit Haskuka ka nxitur reagimin e opozitarëve dhe monitoruesve nga shoqëria civile, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në seancën e KK-së këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani, ka kërkuar sqarime nëse Bordi i drejtorëve nuk është takuar qe 6 muaj.

“Dua ta pyes kryetarin e Komunës dhe gjithë Ekzekutivin, kur keni pasur mbledhje të Bordit të drejtorëve për herë të fundit? Sepse mua më erdhi një informatë që nuk ka pasur mbledhje qe 6 muaj. Nuk dua ta besoj këtë, kështu që dua ta di informatën e saktë nga ju”, ka thënë Alishani.