Tentoi të përfitonte me dokument fals pensionin e veteranit

Tentoi të përfitonte me dokument fals pensionin e veteranit

S.H. e ka pranuar para trupit gjykues se ka tentuar të përfitonte me anë të një dokumenti fals pensionin e veteranit të luftës.

Për këtë Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, për “legalizim të përmbajtjes së rremë, të mbetur në tentativë”.

Dënimi për të nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, njofton Betimi për Drejtësi.

Ai obligohet të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 eurove, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 eurove.

Fillimisht, më 31 maj 2018, Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprat penale “falsifikim i dokumentit” dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, mirëpo në fillim të seancës fillestare, prokurorja hoqi dorë nga vepra penale “falsifikim i dokumentit”, e cila më pas ka bërë rikualifikimin e veprës penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, të cilën e ka lënë në tentativë.

Ndryshe, i pandehuri S.H, akuzohej se më 15 shkurt 2018, pranë Departamentin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës, dhe Viktimave Civile, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, zyra në Pejë, ka tentuar të vë në lajthim organin në fjalë.

Në akuzë thuhet se i pandehuri që ta vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në çështje ligjore, ka prezantuar dokumente të falsifikuara, me qëllim që të përfitojë nga paga e pensionit të veteranit luftëtar të UÇK-së.Sipas këtyre veprimeve, ai akuzohej për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme të mbetur në tentativë”


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi