Fillon zgjerimi i rrugës në Oshlan

Fillon zgjerimi i rrugës në Oshlan

Kanë filluar punimet në zgjerimin e rrugës në fshatin Oshlan, me gjatësi 2.7 kilometra investim ky i ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT).

Ministri në detyrë, Pal Lekaj u shpreh se ndihet mirë që po fillojnë punimet në këtë fshat, që sipas tij, pati të rënë dhe ushtarë në luftën e fundit.

“Ndihem shumë mirë që po e fillojmë një projekt që ka ndikim në një projekt për jetë më të mirë për qytetarët e kësaj ane dhe sidomos kur jemi në këtë fshat është dy herë më shumë gëzim sepse në këtë fshat e kemi ditur edhe atëherë kur djemtë e kësaj ane kanë ditur të rreshtohen dhe t’i dalin zot Kosovë dhe të sakrifikojnë”.

Lekaj që është edhe nënkryetar i AAK-së, u shpreh para të pranishmëve se ky projekt e dëshmon që puna e Qeverisë Haradinaj është për qytetarët dhe se nuk bëhet për lojëra gjatë fushatës elektorale.

“Ne si Qeveri e Kosovës në krye me zotri Haradinaj për këto dy vite jo vetëm në këtë anë jo vetëm në Vushtrri, diku mbi 300 projekte i kemi zhvilluar ane kënd Kosovës”.

“Edhe pse ka përfunduar fushata ne nuk kemi filluar që të bëjmë lojëra vetëm për fushatë por e kemi lënë pas fushatës kur zgjedhjet kanë përfunduar dhe sot bashkërisht jemi bashkë me kryetarin që t’ia fillojmë projektit që është i rëndësisë së veçantë për këtë anë”.

Ai u shpreh se kudo që të jenë si AAK do të punojnë për të mirën e vendit.

“Ju them që kudo që të jemi në Qeveri apo në parlament apo kudo do të punojmë për të mirën e vendit”

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kjo rrugë është e veçantë pasi para 13 vjetësh u shtrua nga banorët. Ai falënderoi ministrin Lelaj për këtë investim.

“Sot është një ditë e veçantë sepse po fillon projekti i zgjerimit të rrugës aktuale nga Pantina deri në Oshlan, edhe kur është ndërtuar kjo rrugë 13 vite më parë është ndërtuar me participim nga komuniteti këtu dhe me participim nga komuna dhe ministria e administrimit dhe pushtetit lokal”.

“Kësaj radhe është projekt me investim nga ministria e Infrastrukturës dhe dua të falënderojë ministrinë e infrastrukturës që të paktën në këto dy vite kemi projekt në komunën e Vushtrrisë, dua të përgëzoj të gjithë banorët për këtë rrugë dhe besoj që kompania do të punojë me intensitet të plotë që të përfundohet në kohë”.

Brahim Xhaka, përfaqësues i fshatit, u shpreh mirënjohës për këtë projekt, raporton EO.

“Faleminderit shumë për projektin ju përshëndes që keni ardhur në fshatin heroik Oshlan. Faleminderit për këtë projekt që po dedikohet edhe për qytetar tjerë të fshatrave përreth”.