Intervistë me shkrimtarin dhe përkthyesin shumëgjuhësh Elvi Sidheri

Intervistë me shkrimtarin dhe përkthyesin shumëgjuhësh Elvi Sidheri

Kush është “Emigrantja”, që jo rastësisht mishëron edhe personazhin kryesor të këtij romani?

Emigrantja, siç edhe mund të nënkuptohet tërthorazi, është një grua shqiptare, që përmes rrugëtimit të saj të gjatë, nëpër shumë peripeci, ndodhi, të tatëpjeta jetësore nga më të ndryshmet, ia del mbanë që falë vetëmohimit të saj, krenarisë, dinjitetit të pamposhtur dhe karakterit të saj të paepur, të sendërtojë thelbin e një romani si ky, ku ndërthuren jetët, vuajtjet, sakrificat, arritjet dhe gjurmët e qindra-mijëra shqiptarëve që morën udhët e emigrimit veçanërisht mbas vitit 1990.

Përse keni zgjedhur pikërisht një grua për të shtjelluar ngjarjet e këtij romani?

Ngaqë për mendimin tim, por edhe duke i qëndruar besnik të vërtetës historike, sociologjike dhe ngjarjeve të mirëfillta, pesha, barra më e rëndë e emigrimit si dukuri masive e kolektive të cilës iu nënshtruan shqiptarët pas rënies së regjimit monist, pati rënë pikërisht mbi gratë, nënat, femrat shqiptare në përgjithësi, duke qenë ato që lanë vatrat amtare dhe mëmëdheun për të nisur një jetë të re, duke kërkuar mbrothësinë e munguar në Shqipëri, sigurinë e të ardhmen e fëmijëve të tyre, në dhe të huaj, duke shfaqur një vetëmohim të rrallë, që për mua si shkrimtar, përbën frymëzimin burimor për këtë roman.

Nuk është rastësi që qysh në faqen e parë të këtij romani, lexuesi has kushtimin ndaj këtyre grave, mundit, shpirtit të paepur dhe sakrificave të tyre, shpesh të harruara, të anashkaluara apo të munguara tërësisht në kujtesën dhe përshtypjen e përhapur ndër shqiptarë për emigrimin si dukuri e gjithkënd që pati hedhur këtë hap të guximshëm, ku gruaja shqiptare prin në të gjitha kuptimet.

Keni përzgjedhur tematikën e emigrimit në këtë roman, përse jeni përqendruar pikërisht në këtë subjekt?

Kam pasur disa arsye për këtë gjë, por kryesisht jam nxitur nga fakti që për emigrimin akoma kemi më shumë hije sesa dritë, më shumë paragjykime sesa gjykim të kthjellët, më shumë padije sesa dijeni të mirëfillta, e për këtë shkak kam zgjedhur që të mbuloja këtë tematikë kaq komplekse, shumëplanëshe, të larmishme e aspak të thjeshtë për t’u trajtuar në një roman, një krijim letrar.

Mendoni se është e vështirë të flitet, sidomos të shkruhet për emigrimin në ditët e sotme, ku ky fenomen sërish është bërë kaq i pranishëm për shqiptarët?

Mendoj se është e nevojshme të flitet për emigrimin si dukuri, në aspektin sociologjik, mendësor, gjeopolitik, por edhe në rrafshin praktik, duke u orvatur të përshkruhen shtysat, arsyet, rrethanat e emigrimit si gjenezë, duke u rrekur paskëtaj ta shtjelloj emigrimin si evoluim ngjarjesh, jetësh njerëzore të shqiptarëve në emigrim, në vendet ku ata vajtën pas lënies së Shqipërisë, siç bëj në këtë roman, dhe jam i bindur se kjo gjë mund të arrihet më përkryer duke ia veshur nuancat më të skajshme e të veçanta të emigrimit një personazhi femëror, një gruaje që largohet familjarisht nga Shqipëria në agun e ndryshimeve demokratike në Tiranë, për të kërkuar më të mirën për familjen e saj, para realizimit vetjak, në një vend të huaj, si Greqia në këtë rast, por edhe Stambolli më tutje.

Pra, është një sipërmarrje sigurisht e vështirë, e koklavitur, por njëkohësisht mahnitëse, që të nxitë pandalshëm të eksplorosh skajet e krijueshmërisë tënde si shkrimtar, duke u përpjekur ta ravijëzoj emigrimin si proces, nëpërmjet trajtimit të një shumësie të gjerë personazhesh, për të ofruar një buqetë sa më të plotë të shumëllojshmërisë së shqiptarëve nga çdo krahinë, shtresë, qytet apo fshat, fe apo bindje politike që morën udhët e emigrimit pas vitit 1990, gjithmonë prirë nga ky personazh femëror që shënjon me praninë e saj këtë roman.

Përse mendoni se emigrimi ende nuk është trajtuar në prizmin e duhur në shoqërinë tonë?

Sepse emigrimi ndoshta është akoma diçka që po evoluon, që po ndodh, që nuk ka të ndalur, por gjithaq ngaqë traumat e të shkuarës, së largët apo të afërt, diktatura moniste dhe tranzicioni i stërzgjatur shqiptar, që shkaktuan emigrimin masiv të shqiptarëve, ende nuk janë tejkaluar nga shqiptarët, rrjedhimisht nuk kemi pasur kohën e nevojshme për ta sintetizuar emigrimin si proces, njerëzit që u bënë protagonistë të pavetëdijshëm të tij, historitë e tyre dhe larminë pafund të këtij fenomeni, duke mbetur akoma në pamjen e thatë bardhë e zi, që emigrimin e shikon si diçka tejet të pajetë, brenda disa klisheve të cekëta që shpesh i harrojnë njerëzit, shqiptarët e thjeshtë që në emigrim dhe përmes hapave të hedhura gjatë emigrimit të tyre, kanë bërë gjëra madhështore, në çdo fushë, thjesht duke ditur të lënë gjurmët e tyre në vende e shoqëri të huaja, pa ulur kokën, pa hequr dorë nga identiteti i tyre shqiptar, duke flijuar veten për hir të familjes dhe bijve të tyre, gjë kjo që gruas shqiptare në emigrim, në Greqi e kudo tjetër, i vishet vetvetiu, si një tipar i pashlyeshëm i qenësisë së tyre burimore.

Përse i keni vendosur shumicën e ngjarjeve të këtij romani në Greqi?

Edhe këtu arsyeja është sa e thjeshtë, aq edhe komplekse. Emigrimi masiv nga Shqipëria në Greqi pas vitit 1990, meriton vëmendjen e shkrimtarit, ashtu si edhe të sociologut, etnologut, por edhe historianit përkatës, por unë kam synuar ta shikoj dhe trajtoj këtë emigrim kaq thelbësor për zhvillimet e shoqërisë shqiptare pas rrëzimit të regjimit monist, duke shtjelluar jetën e shqiptarëve të mirëfilltë gjatë viteve të këtij emigrimi, gjatë ngjarjeve të këtij emigrimi, gjatë dritëhijeve të këtij emigrimi, të qeshurat e të qarat e tyre, vështirësitë dhe arritjet e tyre, duke u ngërthyer në gjithçka me shoqërinë ku ata emigruan, shoqërinë greke me dritëhijet e saj, por edhe krejt përbërësit e dukshëm dhe të fshehtë të kësaj shoqërie, përfshirë edhe plot shqiptarë të vjetër të Greqisë, nga arvanitasit e shumtë te çamët ortodoksë, shqiptarët e Thesalisë, shqiptarët e Kosturit e plot të tjerë syresh, krahas minoriteteve të tjera në Greqi, sllavofonëve, vllehve, hebrenjve.

E në këtë ndërthurje, emigrimi nga Shqipëria pas vitit 1990, njësohet ngadalë me valët e tjera të emigrimeve mesjetare të hershme arbërore drejt Moresë, Atikës, ishujve të Egjeut dhe Greqisë në përgjithësi, por edhe me shqiptarët e tjerë të shumtë që gëlojnë haptas apo në gjysmëhije në fqinjin tonë jugor.

Jam nxitur nga prirja e natyrshme për t’iu shmangur shablloneve të ngurta që janë betonuar me kalimin e viteve dhe dhjetëvjeçarëve lidhur me emigrimin e shqiptarëve në përgjithësi, duke e trajtuar këtë dukuri kaq masive dhe thelbësore për Shqipërinë e tridhjetë viteve të fundit, veç me ngjyra të zbërdhulëta, shpeshherë fort larg realitetit të ngjarjeve reale.

Gjithnjë i zgjidhni personazhet femërore?

Po, kështu ndodh në romanin tim të parë të botuar, Dy Botë, që deri tani është pritur shumë mirë nga lexuesit, e kështu ka për të ndodhur edhe në romanin e tretë të kësaj “triade” siç i kam cilësuar këto tre romane, ku në vazhdimësi femra, gruaja, vajza shqiptare, projektohet e kredhur në mjedise, kultura, gjuhë, tradita, rajone vende të huaja, duke mishëruar përherë vlerat më të mira të shqiptarësisë së tyre, duke përthithur më të mirën e shoqërisë ku integrohen, duke përçuar thelbin e karakterit të tyre shqiptar, duke luftuar, duke u vetëmohuar, duke dashuruar e duke kapërcyer shpesh male metaforike e fizike, për t’ia dalë mbanë larg Shqipërisë, duke mbetur vetvetja në çdo rrethanë e situatë.

A ju kanë ndihmuar gjuhët e shumta që flisni në shkrimin e këtyre romaneve?

Gjuhët padyshim më kanë ndihmuar, sepse çdo gjuhë është mirëfilli një dritare e re kundrejt botës së madhe që na rrethon, për të njohur njerëz, kultura, vende, mendësi e ngjarje të ndryshme, që më kanë shërbyer si frymëzim, më kanë ofruar këndvështrime të reja të panjohura në lidhje me jetën e rrezatimet e saj të pafundme, duke më bërë të qëmtoj pikëtakimet, ngjashmëritë, fqinjësinë, më tepër se largësitë artificiale mes popujve dhe njerëzve, duke i vendosur personazhet e romaneve të mi, gjithnjë në qendër të këtyre gërshetimeve kulturore e gjuhësore, me thesarin e shqiptarësisë së tyre si protagonist të përhershëm.

Thatë se do të ketë edhe një roman të tretë së shpejti?

Po, e mendoj se do të jetë kurorëzimi i këtyre dy romaneve të mi të parë. Romani i tretë tashmë është shkruar, e do të botohet vitin e ardhshëm, duke patur plot rrjedhoja e gjëra të përbashkëta me dy romanet e tjerë, por edhe veçoritë e tij unike, përfshirë edhe rajonin ku do të zhvillohen ngjarjet.

Si përfundim, keni diçka për t’u thënë lexuesve?

Do t’u thosha që të lexojnë sa më tepër libra, e duke lexuar ta njohin botën, t’i njohin të tjerët, t’u shtohet kureshtja, e të pasurohen kulturalisht.

 

 

Autor: Vera Pelaj