Hapet mini-biblioteka në Prishtinë, synohet rritja e lexueshmërisë

Hapet mini-biblioteka në Prishtinë, synohet rritja e lexueshmërisë

Është hapur mini-biblioteka në lagjen “Dardania” të Prishtinës, përmes së cilës po synohet rritja e lexueshmërisë.

Menaxheri i Librarisë “Dukagjini”, Blerim Muhaxhiri, tha se e kanë mbështetur hapjen e kësaj mini-biblioteke me 200 libra të ndryshëm.

“Pasi kemi dëgjuar për këtë iniciativë, ne kemi ofruar mbështetje menjëherë sepse kjo ndodhë edhe në shtetet e jashtme. Pra na e kemi mbështetur pa hezitim në mënyrën financiare dhe për start kemi premtuar rreth 200 libra të ndryshëm, por sërish kemi me i pasë në mbikëqyrje që asnjëherë mos me qenë të zbrazura. Njëherë i kemi 12 mini biblioteka që të përmbyllet ky projekt dhe pastaj të fillojmë në komunat e tjera”.

Drejtori i Organizatës “ETEA”, Arben Ahmeti, tha se arsyeja që e kanë hapur këtë mini-bibliotekë në lagjen “Dardania” është numri i madh i banorëve.

“Projektin e kemi pasë në mendje qe dy-tri vjet, por fillimisht është dashtë edhe bashkëpunimi i partnerëve dhe sot po e hapim ku e kemi gjet bashkëpunimin me Bashkimin Evropian ndërsa në partneritet kemi qenë me librarinë dukagjini dhe me Kuvendin e Forumit të Rinjve të Prishtinës. Fillimisht kemi kërkuar bashkëpunim me qytetarët. Kemi vendos me hap këtu në Dardani sepse është lagje që ka më së shumti banorë”, tha Ahmeti, raporton EO.

Menaxheri i Projekteve në FIQ, Oltion Beshiri, tha se me këtë iniciativë do të vazhdohet edhe në qytetete tjera të Kosovës.

“Ne shpresojmë dhe besojmë që këto mini- biblioteka jo vetëm në Prishtinë, por të hapen edhe në të gjithë Kosovën. Ne të njëjtin projekt do të mundohemi ta shpërndajmë edhe në vendet e tjera të Ballkanit dhe besojmë që ETEA dhe këto mini-biblioteka të ndikojnë pozitivisht te qytetarët”.

Kryetarja e Kuvendit të të Rinjëve të Prishtinës, Kosovare Sadiku, tha se po synojnë rritjen e lexueshmërisë ngase sipas saj dëshira për të lexuar libra ka rënë dukshëm.

“Si kryetare e Kuvendit të të Rinjve të Prishtinës në bashkëpunim me organizatën ETEA kemi bërë një punë të madhe në nxitjen e lexueshmërisë te të rinjtë. Kemi parë që ka rënë lexueshmëria dhe me anë të këtyre mini-biblioteka po synojmë rritjen. Ne kemi shkruar edhe rregulloren ku librat për të rritur do të shkëmbehem për të rritur dhe librat për fëmijë të shkëmbehen për fëmije dhe shpresojmë që kjo rregullore me u respektu”, tha ajo, raporton EO.

Hapja e kësaj mini-biblioteke është mundësuar nga ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Libraria “Dukagjini” dhe FIQ.