`Nëntor i ftohtë` shfaqet në Hagë

`Nëntor i ftohtë` shfaqet në Hagë

Filmi “Nëntor i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina do të shfaqet para publikut holandez në Hagë të Holandës.

Ky film kosovar do të shfaqet dy ditë radhazi në kuadër të festivalit ë “Eastern Neighbours Film Festival”, më 7 dhe më 8 nëntor. Lajmin e ka bërë të ditur producenti i këtij filmi, Fatmir Spahiu, i cili njëkohësisht edhe ka ftuar gjithë bashkatdhetarët të cilët jetojnë në Holandë të shkojnë ta shohin.

Tematika e filmit “Nëntor i ftohtë” është një ngjarje, e cila zhvillohet në fillim të viteve të ’90-ta, në kohën e Qeverisë Jugosllave, që e anuloi autonominë e Kosovës, shpërndau Parlamentin dhe mbylli Televizionin Publik të Kosovës. E gjitha jeta institucionale në atë kohë ka bërë që shumica e qytetarëve asaj gjendjeje t’i përgjigjen me demonstrata paqësore. Gjatë kësaj kohe personazhi i filmit Fadili, i cili punon si arkivist, duhet të zgjedhë në mes të dy opsioneve. Filmi “Nëntor i ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka”, në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” dhe “Ikonë”. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesore paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Fatmir Spahiu Adriana Matoshi, Emir Hadzihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli.