“Humbja e akullnajave mund të shkaktojë paqëndrueshmëri politike”

“Humbja e akullnajave mund të shkaktojë paqëndrueshmëri politike”

Akullnajat vazhdojnë të tkurren anë e mbanë globit si rezultat i aktiviteteve njerëzore, thonë ekspertët.

Sipas një klimatologu, me burimet ujore që luajnë një rol kyç në ekosistem, humbja e akullnajave nga shkrirja e shpejtë çon drejtë paqëndrueshmërisë politike.

Julienne Stroeve, profesoreshë në Kolegjin Universitar të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar, duke folur për Anadolu Agency thotë se burimet e ujit ndikojnë në furnizimin me ujë të pijshëm, bujqësi, turizëm dhe ekosistemet. "Ju mund të imagjinoni paqëndrueshmërinë politike me humbjen e akullnajave në rajonet kryesore në të gjithë botën", thekson ajo.

Stroeve, eksperte për ndërveprimet e akullit atmosferë-det dhe akullin e detit Arktik, tha se akullnajat shërbejnë për të ruajtur dhe siguruar ujë për kontinentet në të gjithë botën.

"Koha e niveleve të shkrirjes dhe lumenjve ndikon fuqishëm në bujqësi dhe furnizime me ujë të pijshëm dhe shumë ekosisteme varen nga sezonaliteti i disponueshmërisë së ujit", tha ajo.

Stroeve tha se njerëzit që jetojnë në rajonet bregdetare si dhe pranë akullnajave në male të larta do të ndjejnë ndryshimet mjedisore.

"65 milionë njerëz që jetojnë në male të larta do të ndikohen drejtpërdrejtë nga humbja në masë e akullnajave dhe 680 milionë njerëz të tjerë që jetojnë rreth zonave bregdetare me shtresa të ulëta", tha ajo, duke cituar "Raportin Special për Oqeanet dhe Kriosferën të ndryshimeve klimatike" , lëshuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, një organ i klimës i OKB-së.

Ajo theksoi se shkrirja e akullnajave e cila kontribuon shumë në ngritjen e niveleve të detit është rezultat i ngrohjes globale të lidhura me gazin serë.

"Të gjitha modelet e klimës tregojnë se akullnajat do të vazhdojnë të tkurren pasi ngrohja, dhe kështu shkrirja, mbizotëron mbi çdo rënie shtesë që do të marrin akullnajat", tha ajo.

Duke përmendur matjet e akullit të detit që ajo bëri gjatë një udhëtimi në Arktik në vitin 2012, ajo tha se, "Vera e vitit 2012 me sasinë më të vogël të akullit të detit në Oqeanin Arktik. Kushtet e akullit po ndryshojnë me shpejtësi nga akulli i trashë i vjetër, në të hollë, në një akull të ri të fragmentuar". 

- Rritja e baticave

"Nëse i gjithë kontinenti Antarktik do të shkrihej, niveli i detit do të ngrihej 67 metra dhe nëse e gjithë Grenlanda do të shkrihej, niveli i detit do të ngrihet 7 metra", tha Attila Ciner, drejtor në Institutin Euroazia për Shkencat e Tokës në Universitetin Teknik të Stambollit.

“Akullnajat shërbejnë për të regjistruar evolucionin historik, madje edhe parahistorik, të klimës së Tokës duke ngrirë mbi shtresa që ishin prekur nga ndryshimet e kaluara të klimës, duke i kthyer ato në mënyrë efektive në akull. Në këtë mënyrë, ato janë të rëndësishme për të kuptuar klimën në të kaluarën dhe parashikimin se çfarë lloj klimë na pret në të ardhmen”, tha Ciner.

"Bangladeshi, ku 200 milionë njerëz jetojnë në deltën e lumit Ganges, Holanda, New Orleans dhe madje të gjitha qytetet afër detit, përfshirë Stambollin, janë shtëpia e gjysmës së popullsisë së botës", tha ai, duke paralajmëruar se ngritja e nivelit të detit të shkaktuar nga shkrirja e akullnajave përbën rrezik për këto zona.

Ai shtoi se shkrirja e akullnajave të tokës në vendet si Antarktida dhe Grenlanda përbëjnë një rrezik serioz për ishujt e vegjël vetëm disa metra mbi nivelin e detit. 

- Shkrirja e akullnajave në Turqi

Duke iu referuar raporteve në korrikun e kaluar se akullnajat 20.000 vjeçare në malin Cilo-Sat, një majë në juglindje të Turqisë, filluan të shkrihen, Ciner tha se ky ishte një karakterizim mashtrues pasi akullnajat po shkrihen për mijëra vjet.

"Duke e përshkruar situatën si 'shkrirja ka filluar' është e gabuar, sepse akullnajat janë shkrirë për 20.000 vjet, ku ata arritën nivelin e tyre maksimal. Kishte tre herë më shumë akullnaja 20.000 vjet më parë sesa sot", tha ai.

Duke nënvizuar se temperaturat kishin qenë tetë deri në 10 gradë më të ulëta 20.000 vjet më parë, ai tha se rritja e temperaturës, dhe kështu shkrirja e akullnajave, u përshpejtua nga fillimi i epokës së Holocenës apo 11.000 vjet më parë kur temperaturat globale filluan të rriten, si dhe nga faktori njeri gjatë 150 viteve të fundit.

Faktorë të rëndësishme të kësaj shkrirje përfshijnë karburantet fosile dhe veçanërisht thëngjilli, tha Ciner, duke shtuar se këto përbëjnë kërcënimin më të rrezikshëm për akullnajat, pavarësisht skepticizmit të shumë politikanëve si presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

"Fatkeqësisht, Turqia është ndër vendet më të ndjeshme ndaj shkrirjes së akullnajave dhe ngrohjes globale", tha ai, duke iu referuar akullnajës Agri në lindjen e vendit, që ka humbur 29 për qind të vëllimit të saj nga viti 1976 deri në vitin 2011, si dhe akullnajën Erciyes në Turqinë qendrore, që është tkurrur mesatarisht katër metra ndër vite përgjatë shekullit të 20-të.

Ciner theksoi nevojën për uljen e emetimeve të karbonit në të gjithë botën dhe shtimin e kërkimeve shkencore në këtë fushë. Ai shtoi se Turqia ka shfaqur shqetësim në këtë front me përpjekjet e saj kërkimore në Antarktidë.

"Ne nuk duhet të harrojmë se nëse nuk mund ta kuptojmë të tashmen dhe të kaluarën, nuk mund të parashikojmë të ardhmen", tha ai.


MË SHUME NGA Kuriozitete