Përfundon studimi i fizibilitetit për ngrohjen qendrore solare në kryeqytet

Përfundon studimi i fizibilitetit për ngrohjen qendrore solare në kryeqytet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë me dije se ka përfunduar studimi i fizibilitetit për ngrohjen qendrore solare në këtë komunë.

Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ky projekt do t’i shtojë kapacitetet e Termokosit për ngrohje në disa lagje të kryeqytetit.

“Në bashkëpunim me KfW-në dhe BERZh-in kemi përfunduar studimin e fizibilitetit për ngrohjen qendrore solare në komunën tonë. Ky projekt do të shtojë kapacitetet e Termokosit për të zgjeruar rrjetin në lagjet me banim individual si Tophane, Arbëri e Medrese. Por më me rëndësi, do ta zëvendësoj qymyrin me energji të ripërtrirshme diellore. Ky projekt synon që brenda 3-5 viteve të ardhshme ta zgjeroj rrjetin përtej projektit të kogjenerimit e që po bëhet edhe në Kalabri, Mat e Qendër”, ka thënë ai.

Ahmeti ka theksuar se projekti do të financohet potencialisht nga KfW-ja, BERZh-i, grante të donatorëve e financim të komunës. “Përndryshe, ky do të jetë ndër tri projektet më të mëdha të këtij lloji në Evropë”, ka deklaruar Ahmeti.