E goditi për vdekje këmbësorin, gjykata e dënon me dy vjet burgim

E goditi për vdekje këmbësorin, gjykata e dënon me dy vjet burgim

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me dy vite burgim të akuzuarin G.B., për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

Më 1 korrik të këtij viti, një person kishte shkelur me veturë një këmbësorë në Rimanishtë të Vitisë, duke i shkaktuar plagë të rënda i cili pas një jave kishte ndërruar jetë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, i akuzuari G.B., ishte duke vozitur me shpejtësi prej 112 kilometra në orë në vendin ku ishte e lejuar vetëm 50 kilometra në orë.

Gjatë ditës së sotme, Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit G.B., duke i shqiptuar dënim prej dy viteve burgim.

Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

Dy vite burgim për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”

Gjilan–Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit G. B., duke i shqiptuar dënim prej 2 (dy) vite burgim.

I akuzuari me datë 01.07.2019 rreth orës 12:00 minuta në fshatin Rimanishtë të Komunës së Vitisë, duke e drejtuar automjetin e tij të markës Golf, pa patentë shofer dhe duke mos iu përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në vendbanim, ku shpejtësia ka qenë e paraparë 50 km/h, ndërsa në bazë të ekspertizës së komunikacionit i akuzuari ka zhvilluar shpejtësi 112 km/h, i cili me anën e djathtë të përparmë të veturës godet këmbësorin S. D., të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, me ç’rast merr tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por që nuk arrin të mbijeton dhe me datë 08.07.2019, ndërron jetë.

Me këto veprime i akuzuari G. B., ka kryer veprat penale “rrezikim i trafikut publik”, vepër sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit G. B. duke e dënuar me 2 (dy) vite burgim dhe dënim plotësues ndalimi i drejtimit të automjetit në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite, pas vuajtjes së dënimit me burgim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.