Ahmeti: Nuk dihen ende motivet e sulmit ndaj mini-bibliotekës

Ahmeti: Nuk dihen ende motivet e sulmit ndaj mini-bibliotekës

Dje është hapur mini-biblioteka në lagjen “Dardania” të Prishtinës ndërkaq në mesnatë rreth orës 24:00 është sulmuar me vezë derisa motivet e sulmit nuk dihen ende.

Drejtori i Organizatës ETEA, Agon Ahmeti në një prononcim për Ekonomia Online thotë se nuk ka ndonjë dëmtim dhe nuk dihen ende shkaqet e këtij sulmi.

Sipas tij tani mini-biblioteka  është e pastruar dhe është kthyer në gjendjen e mëparshme.

“Ne nuk e dimë saktësisht kur ka ndodh, por pas përurimit që ka ndodh në ora 15:30 ka qenë gjithçka në rregull dhe qytetarët kanë fillu me shkëmby libra. Në mbrëmje krejt vonë do të thotë dikur rreth orës 24:00 kemi qenë për vizitë dhe u ndala ta shoh mini-bibliotekën dhe e pashë se ishte sulmuar me vezë. Fatmirësisht nuk ka ndonjë dëmtim do të thotë nuk janë thyer xhamat apo diçka e tillë dhe e kemi pastruar dhe e kemi kthyer në një gjendje siç ka qenë, por thjesht nuk i dimë motivet dhe ka qenë gjithçka e çuditshme , por të sulmohet me vezë ka qenë e çuditshme për ne”.

Ahmeti shtoi se organet përgjegjëse nuk janë lajmëruar, por nëse vazhdojnë sulmet edhe ditëve në vazhdim atëherë do të merren masa.

“Ne nuk kemi lajmëruar organet përgjegjëse sepse nuk e kemi parë të nevojshme meqë fatmirësisht nuk është dëmtuar, nëse diçka e ngjashme vazhdon më tutje normalisht që do të ndërmarrim masa dhe duke i lajmëruar organet përgjegjëse dhe për një siguri më të lartë. Nëse kjo vazhdon duhet të shohim edhe zgjidhje alternative për siguri”.

Sipas tij, do të bëhet gjithçka që këto mini-biblioteka të kenë jetëgjatësi dhe të jenë në dobi të qytetarëve.

“Ne si organizata partnere është mirë që jemi shumë dhe lajmi për gëzimin e qytetarëve na ka bërë neve që të mendojmë edhe për zgjerimin e saj dhe jo vetëm për mirëmbajtjen e tyre. Ne do të bëjmë çmos që këto mini-biblioteka të kenë jetëgjatësi dhe të jenë në dobi të qytetarëve vazhdimisht”, tha ai për Ekonomia Online.

Mini-biblioteka e ardhshme do të hapet në lagjen Ulpiana.

“Pas Ulpianës janë Bregu i Diellit , Sheshi Adem Jashari , Kampusi Universitar, Lagjja Hajvalia , Lagjja e Qafës e kështu me radhë”, tha ai.