Japonia i dhuron pajisje mjekësore QKUK-së në vlerë 1.3 milion euro

Japonia i dhuron pajisje mjekësore QKUK-së në vlerë 1.3 milion euro

Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) sot është bërë dorëzim-pranimi i pajisjeve mjekësore nga granti i Qeverisë së Japonisë, vlera e të cilave është 1.3 milion euro.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se pajisjet në shumë klinika tashmë veçse janë funksionale dhe pacientët mund të marrin këto shërbime në spitalin publik e jo privat.

Sipas Ismailit vlera e donacionit është 1.3 milion dhe se së shpejti përmes këtij donacioni do të fillojë edhe trajtimi i sulmeve në tru.

“Pajiset në shumë klinika veç ka filluar të përdoren pacientët kanë filluar të marrin shërbimet me pajisjet e reja duke u mundësuar atyre që mos të kërkojnë zgjidhje jashtë spitaleve publike, por të gjejnë shërbimet në spitalet publike. Edhe këtu ku jemi shohim pajisjet që kanë ardhur donacion nga qytetarët e Japonisë, nga taksapaguesit e Japonisë dhe tregojnë rëndësinë që kanë këto për realizimin e projekteve tonë siç është ajo e ‘stroc center’ dhe duke krijuar për herë të parë një qendër të tillë qytetarëve për sulmet në tru diçka që ka munguar më herët dhe shpeshherë ka sjell më të keqën tek qytetarët në mungesë të intervenimeve të shpejta, tani jemi në gjendje që shumë shpejt edhe këto pajisje t’i vëmë në dispozicion të qytetarëve”, tha Ismaili.

Ambasadori i Qeverisë së Japonisë, Kiyoshi Koinuma teksa ofroi përkrahjen e Japonisë për Kosovën dhe njerëzit e saj tha se është i lumtur që i sheh pajisjet mjekësore japoneze të vendosura në klinikat e Kosovës.

“Jam shumë krenar t’i shoh pajisjet mjekësore japoneze të vendosen në këtë klinik, dhe kjo është diçka e mrekullueshme prej njerëzve japonezë për Kosovën. Kosova dhe Japonia kanë pasur marrëdhënie shumë të mira që prej 10 viteve të fundit. Ky vit shënon 10 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, natyrisht, për Japoninë për qeverinë japoneze Kosova është një vend shumë i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën dhe do t’i mbështesim njerëzit këtu”, tha ai.

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu derisa ka përmendur disa nga pajisjet që janë në kuadër të këtij donacioni tha se përmes këtyre pajisjeve të reja do të ofrohen shërbime profesionale për pacientët e QKUK-së.