Kurti: Kosova ka nevojë për tërheqjen e investitorëve nga jashtë

Kurti: Kosova ka nevojë për tërheqjen e investitorëve nga jashtë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, priti në takim Drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, znj. Linda Van Gelder, e cila ishte e shoqëruar nga Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, Drejtoresha Rajonale për Financa Koncesionale Globale, znj. Lalita Moorty dhe Drejtori Rajonal për Sektorin e Ujit, Steven Schonberg.

Van Gelder e uroi kryetarin Kurti për mbarëvajtjen dhe rezultatin zgjedhor. Ajo tha se Banka Botërore do të vazhdojë bashkëpunimin për projekte zhvillimore me qeverinë e re dhe do të ketë rol më aktiv në koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, njofton sot Lëvizja Vetëvendosje, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

Kryetari Kurti e falënderoi znj. Van Gelder për urimin dhe e njoftoi atë me prioritetet e qeverisë së re. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë është parakusht ose pikënisje për zhvillimin ekonomik. Me politika që mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme, prodhimin vendor, me lidhjen e arsimit me ekonominë lëvizim drejt zhvillimit tha z. Kurti, i cili theksoi edhe nevojën për tërheqjen e investitorëve nga jashtë, ku rol aktiv dhe pozitiv mund të luajnë si mërgata ashtu edhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare që e pranojnë dhe ndihmojnë Republikën e Kosovës.

Në këtë takim u diskutuan disa projekte që kanë të bëjnë me furnizim të ujit të pijshëm, ujitjen e tokës bujqësore, ruajtjen e lumenjve, deponitë e hapura, zhvillimin rural dhe për punësimin e të rinjve. Banka Botërore na informoi për portofolin e projekteve aktive të saj në Kosovë, dhe për mundësinë ekzistuese për shfrytëzimin e fondeve të alokuara për Kosovë nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) në vlerën e mbetur prej rreth 68 milionë eurove, në kuadër të ciklit të tashëm të IDA, bënë të ditur VV.

Në përfundim të takimit të djeshëm, u dakorduam që menjëherë pas formimit të institucioneve të reja, qeveria e re të ulet dhe të përzgjedh projektet më të përshtatshme që do të mbulohen nga fondet e IDA-së.