Me muzikë nis `Java Japoneze` në Kosovë

Me muzikë nis `Java Japoneze` në Kosovë

Ky vit shënon një përvjetor të veçantë, 10-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Japonisë e Kosovës.

Me këtë rast Ambasada e Japonisë në Austri dhe Fondacioni Japonez me mbështetjen e Japan Tobacco International (JTI) kanë organizuar ngjarjen pesëditore të kulturës japoneze “Java Japoneze”, e cila do të mbahet në ambientet e kinemasë “Armata”, në Prishtinë, nga 6 deri e deri më 10 nëntor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dje më 6 nëntor u mbajt një koncert muzikor, i cili do të vazhdojë dhe sot më 7 nëntor me muzikë japoneze nga Sumie Kaneko, performuese e instrumenteve japoneze koto dhe shamisen me qendër në Nju-Jork dhe Takuya Taniguchi, baterist Taiko me qendër në Munih. Të dy muzikantët janë jo vetëm mjeshtër të instrumenteve të tyre tradicionale japoneze, por gjithashtu pionierë në përdorimin e tyre në muzikën bashkëkohoro-eksperimentale. Për herë të parë në Kosovë audienca do ta ketë mundësinë të shijojë tingullin e fuqishëm të baterive të lashta japoneze së bashku me instrumentet tradicionale me tela shamisen dhe koton.

Përveç koncertit, katër filma japonezë të publikuar në Japoni në vitet 2017 – 2018 do të shfaqen çdo natë gjatë evenimentit në kinemanë “Armata”. Të gjithë filmat janë në versionin origjinal me titra në gjuhën angleze dhe hyrja është falas. Zëri