Klopp nuk e sheh përcaktues për titull epilogun e ndeshjes me Cityn

Klopp nuk e sheh përcaktues për titull epilogun e ndeshjes me Cityn

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk mendon se epilogu i ndeshjes kundër Manchester Cityt, do të jetë përcaktuese se kush në cilën pozitë do ta mbyllë edicionin.

“Reds” të dielën do të jenë mikpritës të “Citiziens” në kuadër të javës së 12-të në Ligën Premiere dhe në rast të fitores do të kishin 9 pikë më shumë se skuadra e Pep Guardiolës.

“Luajmë ndeshjen e javës së 12-të që do të thotë se na presin edhe shumë ndeshje tjera. Jemi të vetëdijshëm se shumë njerëz këtë ndeshje e shohin si vendimtare, por na presin edhe shumë ndeshje në nëntor, dhjetor e janar, prandaj duhet të jemi të gatshëm edhe për ato. Nuk mendojmë shumë për atë se epilogu i kësaj ndeshjeje mund të ndikojë në pjesën e mbetur të edicionit”, ka thënë Klopp.

I pyetur nëse kjo ndeshje nuk guxon të humbet, strategu gjerman është përgjigjur: “Ndoshta ka njerëz më të mençur se unë, të cilët këtë e shohin në këtë mënyrë, por unë jo. Për mua kjo është një ndeshje në të cilën dua të fitojmë. Jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi të guximshëm dhe të luajmë futboll. Gjithçka tjetër larg fushës së gjelbër nuk ndikon tek ne. Duam fitore dhe do të bëjmë çmos që ta realizojmë atë. Edicioni nuk përfundon këtu, por e dimë se kemi të bëjmë me një ndeshje të rëndësishme. E gjithë bota do ta shikojë këtë ndeshje”.

Derbi i madh i kampionatit anglez zhvillohet të dielën në orën 17:30.