Lleshaj nga Italia: Alvini i shpëtoi ferrit

Lleshaj nga Italia: Alvini i shpëtoi ferrit

Në një konferencë të përbashkët me autoritetet italiane lidhur me nxjerrjen e vogëlushit Alvin Berisha nga kampi Al-Hol i Sirisë dhe bashkimin e tij me familjen në Itali, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli për një operacion të vështirë, i cili ka marrë vëmendjen e dy kryeministrave Rama dhe Conte.

"Sot është një ditë e rëndësishme që fillon me kthimin e Alvin Berishës i cili ka arritur ti largohet ferrit ku ka jetuar dhe ka humbur një pjesë të fëmijërisë së tij. Falë angazhimit të gjithë aktorëve është kthyer pranë familjes së vet.Ka qenë operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar ku janë përfshirë aspekte të rëndësishme.Operacioni ka marrë vëmendjen e dy kryeministrave, Conte dhe Rama.Ka pasur dhe një dimension të rëndësishëm diplomatik ku janë përfshirë të gjithë ambasadat tona", tha Lleshaj.

I pyetur se kush mban peshën më të madhe në këtë operacion, Lleshaj pati këtë koment:

"Nuk dua të bëj diferenca se kush ka bërë çfarë. Ky ka qenë një operacion që sikur dhe një nga aktorët të mos funksiononte ai nuk do të finalizohej me sukses", tha Lleshaj.

Ai tha se Alvin Berisha është një rast i trishtuar që duhet të na tregojë të gjithëve se terrorizmi, radikalizimi, dhuna dhe ekstremizmi nuk janë opsione të cilat mund të jetojnë në shoqëritë tona.

E gjithë sfida, sipas tij,  është që raste të tilla të mos përsëriten në shoqëritë tona.

Në fund Ministri i Brendshëm pati dhe një falenderim për të gjithë autoritetet dhe aktorët që u bënë pjesë e operacionit të shpëtimit.

"Kam ardhur në Romë për të shprehur mirënjohjen dhe falenderimet e qeverisë shqiptare në adresë të gjithë autoriteteve dhe aktorëve që u përfshinë në këtë operacion. Së pari për autoritetet policiore të Shqipërisë dhe Italisë, presidentin e Kryqit të Kuq të Italisë dhe Ndërkombëtar dhe Presidentin e Gjysmë Hënës së Kuqe të Sirisë.Dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë në këtë operacion dhe autoritetet libaneze që mbështetën këtë operacion në terren", tha Lleshaj.

Konferenca u zhvillua në seline e zjarrfikësve Vigili del fuoco në aeroportin Fiumicino në Romë, ku vetëm pak orë më parë mbërriti dhe 11-vjeçari shqiptar Alvin Berisha.

Ai u prit nga babai dhe dy motrat. Nuk munguan as lotët e gëzimit.