Christophe Hillion: Zgjerimi i BE-para një kthese historike

Christophe Hillion: Zgjerimi i BE-para një kthese historike

Christophe Hillion, ekspert për politikat europiane flet për domosdoshmërinë e reformimit të metodologjisë së politikës së zgjerimit të BE. BE nuk mori vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

DW: Z. Hillion, ju me ekspertë të tjerë të politikave të BE, po diskutoni reformimin e metodologjisë së politikës së zgjerimit, po shikoni të gjeni shtigje të reja nga ku vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) mund të hyjnë në BE. Çfarë ka shkuar keq, pra nuk ka ecur me metodologjinë e deritanishme të zgjerimit?

Christophe Hillion: Është rasti që bota akademike, ekspertë, politikanë të artikulojnë mënyra për të reformuar metodologjinë e politikës së zgjerimit të BE, pa dekurajuar vendet që janë tanimë në proces. Metodologjia e deritanishme është në thelb e bazuar në kushtëzim,  vendet kandidate kanë një sërë kushtesh para pranimit, që duhet t’i plotësojnë. Pasi përmbushen këto kushte, ekziston mundësia për të hyrë në BE, për t’u bërë shtet anëtar. Metodologjia e deritanishme nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.  

Ajo që sugjeroj me përulësi është që përveç kushtëzimit, që në vetvete mund të ketë nevojë të rishikohet, të shtohet  një dimension tjetër në fazën e para anëtarësimit: pjesëmarrja, përfshirja. Vendet kandidate përfshihen në procesin e integrimit përmes pjesëmarrjes në diskutime për ҫështje të rëndësishme në BE dhe shtetet anëtare.

Në thelb, përmes kësaj pjesëmarrjeje, vendet kandidate trajnohen për të qenë shtete anëtare. Ideja është që ato duhet të përfshihen gjithnjë e më shumë, të marrin pjesë gjithnjë e më shumë në diskutime për procesin e integrimit evropian. Kjo do të rrisë shoqërizimin mes përfaqësuesve të shteteve kandidate dhe atyre të shteteve anëtare, mes institucioneve në nivele të ndryshme: ekzekutiv, administrativ, teknik dhe shoqërive civile.

Përfshirja mund të përmirësohet, zgjerohet, bëhet më sistematike, për të krijuar vërtet më shumë pronësi nga ana e vendeve kandidate lidhur me reformat që duhet të bëjnë që ato të lidhen më shumë me statusin e shteteve anëtare. Dhe është gjithashtu një mënyrë që shtetet anëtare të njihen me ardhjet e reja. Kjo është në thelb ideja në lidhje me këtë metodologji shumë specifike para pranimit, bazuar në kushtëzimin, por në një kuadër, ku njerëzit në vendet kandidate dhe BE përzihen shumë më tepër dhe përgatiten si politikëbërës  të ardhshëm në kontekstin e BE-së.

DW:  A do të ndikojë kombinimi i kushtëzimit me pjesëmarrjen në metodologjinë e reformuar në zgjatjen e kohës, të fazës së para anëtarësimit? Qytetarëve pro europianë të BP po u humbet durimi, kanë kaluar 16 vjet që nga premtimi i BE për anëtarësim të BP në Samitin e Selanikut

Christophe Hillion: Metodologjia e re vendos gjithë kohën në një perspektivë të ndryshme: në thelb ajo sugjeron që përfshirja, pjesëmarrja të fillojë para anëtarësimit. Ajo paraqet disa faza, që mund të kenë efekte pozitive duke dhënë njohje, shpërblime më të prekshme për reforma kurajoze dhe transformime që duhet për t'u bërë shtet anëtar. Natyrisht që lidhet me kushtëzimin, për të patur të drejtën e pjesëmarrjes psh në takimet e Këshillit Europian, por pa të drejtë ekskluzive vote dhe vendimi, me të drejtën për të folur. Ky do të jetë pa dyshim shpërblimi pasi të përmbushen kushte të caktuara.

A është ky plotësim kushtesh në nivel sektorësh, pra integrim horizontal jo vertikal siç ka qënë deri tani? Pra nënshkrim i marrveshjes së Associm- Stabilizimit, pastaj statusi i vendit kandidat, hapja ose jo negociatave, pranim ose jo në BE?

Christophe Hillion: Kushtet duhen plotësuar në sektorë të caktuar gjë që është më e thjeshtë sesa të mbyllësh një kapitull negociatash. Ka mundësi për t'u përfshirë më shumë në diskutime në ato fusha, ku kushtet janë plotësuar. Kjo e vendos kohëzgjatjen në një perspektivë ndryshe pasi vendet Kandidate shohin në mënyrë progresive të realizohet pjesëmarrja e tyre. Kjo mund të japë perceptime më të prekshme, procesi materializohet nga përfshirja më e madhe .

Çfarë tjetër pritet të ofrojë metodologjia e reformuar e zgjerimit?

Christophe Hillion: Ka një dritare mundësish për përfshirje aktive duke propozuar sesi mund të ndreqet metodologjia për ta bërë gjithë përgatitjen e vendeve kandidate për anëtarësim më efikase, më rezultative lidhur me transformimin e tyre nga shtete kandidate në shtete anëtare operacionale. Për këtë vendet kandidate duhet të trajnohen, të përgatiten, të kenë kompetenca për të mbajtur qëndrimet e tyre lidhur me ҫështje kyçe që diskutohen në kryeqytetet e BE: Kjo kërkon ndërtim kompetencash lidhur me politikëbërjen në nivelin e shteteve kandidate. Metodologjia e reformuar duhet t’u tregojë qytetarëve ne vendet kandidate që gjërat po lëvizin, po ecin, që përfaqësuesit e vendeve kandidate po përfshihen më shumë duke bërë kështu më të prekshme perspektivën e të qënit vend anëtar

A jemi para një kthese historike në politikën e zgjerimit të BE?

Christophe Hillion: Po, është një kthesë, një moment i rëndësishëm. Politika e zgjerimit nuk ka funksionuar në mënyrë efikase, nuk ka dhënë rezultatet që priteshin. Mos harrojmë që lodhja nga zgjerimi është e pranishme. Ka shumë rezistencë ndaj idesë që zgjerimi duhet të vijojë siç është. Reformat, transformimi nuk po ecin mirë. Por ka një oreks të  mirëfilltë për ndryshim në BP për të gjetur mënyra për ta bërë më mirë procesin e integrimit europian. Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur. Gjithë ky proces është kaq i rëndësishëm dhe shpërqëndrimi prej tij sjell pasoja negative për BE dhe vendet kandidate.

Christophe Hillion, ekspert për politikat europiane, është profesor i drejtësisë në Universitetin e Oslos.