Lista Serbe nuk hyn në qeveri pa konsultim me Beogradin

Lista Serbe nuk hyn në qeveri pa konsultim me Beogradin

Lista Serbe nuk do të ndryshojë sjellje as në qeverisjen e re në Kosovë.

Ky subjekt ka paralajmëruar konsultim paraprak me Beogradin lidhur me vendimin se a do të jenë ose jo pjesë e institucioneve të Kosovës në mandatin e ardhshëm.

Kështu ka paralajmëruar edhe anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ai për mediat serbe ka thënë se subjektit të cilit ai bën pjesë, i takojnë pozicione të caktuara në qeveri.

“Ata në Prishtinë duhet të dinë nëse dëshirojnë të formojnë Kuvendin e Kosovës se është e nevojshme që Lista Serbe të emërojë një anëtar të kryesisë, domethënë të emërojë dhe votojë një zëvendëskryetar të kuvendit, pasi kërkohet pëlqimi i kryetarit të Listës Serbe për të përcaktuar qeverinë e ardhshme”, tha ai për “Tv Prva”.

E të enjten, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha se Lista Serbe duhet të insistojë që të jetë pjesë e Qeverisë.

Sidoqoftë, me këtë nuk pajtohet kryetari i partisë fituese të këtyre zgjedhjeve, Albin Kurti, i cili Listën Serbe në mandatin e ardhshëm e sheh si opozitë. 


MË SHUME NGA Aktuale