Dy politikanë katalanas nën urdhërarrest evropian

Dy politikanë katalanas nën urdhërarrest evropian

Politikanët pro pavarësisë katalanase, Antonio Comin dhe Luis Puig, janë arrestuar në Belgjikë dhe janë liruar me kusht, pasi Spanja lëshoi një kërkesë ekstradimi, deklaroi prokuroria e Brukselit.

Madridi po ndërmerr veprime juridike kundër disa separatistëve katalanas, të cilët u larguan nga Spanja pas një referendumi të jashtëligjshëm të pavarësisë në tetor të vitit 2017. Më i shquari mes tyre është Carles Puigdemont, ish-kreu i qeverisë së Katalonjës që drejtoi përpjekjen për shkëputjen e rajonit.

Spanja ka lëshuar urdhërarrest evropian për Puig, Comin dhe Puigdemont, ku të gjithë ndodhen në Belgjikë.

“Puig dhe Comin u paraqitën vullnetarisht në polici, ku u arrestuan dhe u njoftuan zyrtarisht për urdhërarrestin. Ata nuk ranë dakort për ekstradimin tek autoritetet spanjolle”, deklaroi prokuroria.

Puig dhe Comin u dëgjuan nga një gjykatës, i cili vendosi t’i lirojë me kusht që të mos largohen nga vendi dhe të jenë gjithmonë të arritshëm. Gjykata do të vendosë të premten e ardhshme në një seancë, nëse do të ekzekutojë urdhërarrestin. Seanca dëgjimore e Puigdemont është caktuar për në datën 16 dhjetor./ATSH/