Avokati: Trump po e vë informatorin në "rrezik fizik"

Avokati: Trump po e vë informatorin në "rrezik fizik"

Një avokat i informatorit, që nxiti procedurat për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, i dërgoi letër Shtëpisë së Bardhë me, siç u tha, kërkesën për të ndalur presionin.

Në letër, Andrew Bakaj, shkroi se "retorika dhe aktiviteti" i Trumpit e vendosin klientin dhe familjen e tij "në rrezik fizik".

Identiteti i informatorit deri më tash është ruajtur nga rivalët e Trumpit - demokratët.

Informatori e ka ngritur ankesën në gusht, duke shfaqur shqetësim për një thirrje telefonike midis Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Është thënë se Trump i ka kërkuar Zelenskyt të hetojë për korrupsion Joe Bidenin - rival i tij i mundshëm në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Trump në ujëra të trazuara

Në letrën dërguar këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, Bakaj citoi shembuj të shumtë të, siç tha, "fiksimit" të presidentit për identitetin e informatorit.

Bakaj tha se Trump me "deklarata të tilla" për mediat, në tubime dhe në Twitter e frikëson klientin e tij.

Por, Trump edhe të premten i vazhdoi sulmet kundër informatorit.

"Informatori është një turp për vendin tonë, një turp", u tha Trump gazetarëve.

Presidenti ka mohuar keqbërjen dhe hetimet kundër tij i ka cilësuar si "gjueti shtrigash".(Rel)