Rashiq: Beogradi kërcënoi se kush s`voton Srpskan, e humb rrogën, pensionin

Rashiq: Beogradi kërcënoi se kush s`voton Srpskan, e humb rrogën, pensionin

Nenad Rashiq, ish-kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit mes disa partive të serbëve të Kosovës, “Sloboda”, ka thënë se qeveria e Serbisë i ka detyruar serbët e Kosovës të votonin për Listën Serbe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

“Kanë kërcënuar se secili që nuk voton Srpskan, e humb rrogën, e humb pensionin”, ka treguar Rashiq në televizionin T7.

Ai ka thënë se serbët e Kosovës janë përballur me “kërcënime direkte” nga ministrat e qeverisë serbe.

“Jemi në nivelin më të ulët të marrëdhënieve serbo-serbe”, është shprehur Rashiq.

Rashiq ka thënë se mediat e kontrolluara nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po i akuzojnë për tradhti atë dhe politikanë tjerë, si Rada Trajkoviq.

“Po thonë ‘ata s’janë serbë, e kanë ndërruar fenë, ata tash janë albanac’”, ka treguar Rashiq.

Ai ka thënë se sulme të tilla ndaj serbëve të Kosovës bëhen nga radikalë, e kurrsesi nga politikanë normalë.