Për herë të parë do të licencsohen mësimdhënësit e shkollave private

Për herë të parë do të licencsohen mësimdhënësit e shkollave private

Kërkesat e mësimdhënësve për licencim për vitin 2019 tashmë janë përmbyllur, ndërkohë Ministria e Arsimit ka bërë të ditur për Radio Kosovën se për herë të parë do të fillojë edhe licencimi i mësimdhënësve të arsimit parauniversitar privat.

Mbi 90 për qind e mësimdhënësve të sistemit parauniversitar publik në Kosovë, që kanë aplikuar për licencim në Ministrinë e Arsimit, tashmë kanë përfunduar këtë proces. Drejtori i Drejtorisë për Arsimin Parauniversitar në këtë Ministri, Alush Istogu, bëri të ditur për Radio Kosovën se në bazë të udhëzimit administrativ, tashmë do të aplikojnë për licencim edhe mësimdhënësit e arsimit privat. Ai tha se të gjithë mësimdhënësit në publik e privat duhet të licencohen.

 “I kemi njoftuar të gjithë drejtorët e kolegjeve dhe shkollave private, që të njoftojnë mësimdhënësit, të cilët i plotësojnë kushtet sipas udhëzimit administrativ dhe sipas normativit mbi kuadrin e arsimit të përgjithshëm dhe profesional, të kenë mundësinë të aplikojnë për licencim. Natyrisht, që edhe atyre u lejohet të marrin licencën në bazë të udhëzimit administrativ. Kjo është hera e parë që ne e japim këtë informacion për licencat e punëtorëve arsimorë në institucionet private”, tha Istogu.

Ymer Ymeri, nga Sindikata e Arsimit, tha se për t’u licencuar  mësimdhënësit, përveç diplomës së fakultetit, duhet të kenë edhe trajnimet përkatëse. Ai tha se është kërkuar nga Këshilli Shtetëror i Licencimit që të bëjë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ për licencim, për të hequr kushtin prej 100 orëve trajnim.

“Licenca e mësimdhënësit është 5-vjeçare. Mësimdhënësit të cilët fillojnë punën për herë të parë, do të kenë marrëdhënie punë një vjeçare. Ndërsa, shkolla ka për obligim të caktojë një mentor për të përcjellë punën e mësimdhënësit dhe në fund të vitit bëhet vlerësimi i performasës së tij. Nëse kjo performansë është pozitive, i vazhdohet kontrata dhe ka të drejtë të aplikojë për licencë”, tha Ymeri.

Autor: Albana Karaj


MË SHUME NGA Aktuale