Ulja e shpejtësisë së anijeve sjell përfitime të shumta për mjedisin

Ulja e shpejtësisë së anijeve sjell përfitime të shumta për mjedisin

Sipas një raporti të ri, kufizimi i shpejtësisë maksimale të anijeve ka përfitime të mëdha për njerëzimin, natyrën dhe klimën.

Një zvogëlim prej 20 për qind i shpejtësisë së anijeve do t’i pakësonte gazrat e karbonit dhe gjithashtu do t’i luftonte ndotësit që e dëmtojnë shëndetin e njeriut, siç janë karboni i zi dhe oksidet e azotit.

Për më tepër, ky zvogëlim i shpejtësisë do ta ulte zhurmën në ujëra për 66 për qind dhe do ta pakësonte mundësinë për përplasje të anijeve me balena për 78 për qind.

Palët negociuese të Kombeve të Bashkuara do të takohen në Londër këtë javë për t’i shqyrtuar propozimet për zvogëlimin e shpejtësisë maksimale në transportin ujor.

Rreth 80 për qind e mallrave në botë transportohen me anije. Në këtë mënyrë, kjo mënyrë e transportit është përgjegjëse edhe për një pjesë të madhe të gazrave të karbonit që lirohen nga djegia e karburantit të anijeve.

Transporti me anije përbën rreth 3 për qind të gazrave ngrohëse. Kjo shifër është përafërsisht sa përqindja e gazrave që i liron Gjermania.

Ndonëse ky sektor i transportit nuk ishte përfshirë në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, kjo industri vitin e kaluar u pajtua që t’i zvogëlojë gazrat për 50 për qind deri në vitin 2050 në krahasim me nivelin e vitit 2008, shkruan “BBC”