Danimarka do të rivendosë përkohësisht kontroll kufitar me Suedinë

Danimarka do të rivendosë përkohësisht kontroll kufitar me Suedinë

Kontrollet gjashtëmujore, duke filluar nga e marta, do të bëhen në Urën Oresund midis Kopenhagës dhe qytetit suedez të Malmös dhe gjithashtu në portet e trageteve.

Danimarka do të rivendosë përkohësisht kontrollet në kufijtë e saj me Suedinë pas një varg krimesh të dhunshme në Kopenhagë për të cilat autoritetet daneze theksojnë se janë kryer nga autorët prej Suedisë.

Kontrollet gjashtëmujore, duke filluar nga e marta, do të bëhen në Urën Oresund midis Kopenhagës dhe qytetit suedez të Malmös dhe gjithashtu në portet e trageteve.

Që nga shkurti, në Kopenhagë ka pasur 13 shpërthime. Autoritetet besojnë se një shpërthim i 6 gushtit në Agjencinë e Taksave të Danimarkës "u krye nga kriminelët që kishin kaluar kufirin nga Suedia". Dy shtetas suedez janë në paraburgim.

Ministri i Drejtësisë, Nick Haekkerup, është shprehur se një vrasje e dyfishtë e 25 qershorit, ku dy shtetas suedez u qëlluan për vdekje në periferi të Kopenhagës, "ishte një përballje midis bandave nga Suedia".

Të shtunën, një djalë 15 vjeçar u qëllua për vdekje dhe një adoleshent tjetër u plagos rëndë në Malmö.