Nuk e duan në shkollë, flet arsimtarja e historisë

Nuk e duan në shkollë, flet arsimtarja e historisë

Këshilli i prindërve të shkollës "Emin Duraku", në Prishtinë, që nga mëngjesi janë mbledhur për të ndaluar hyrjen e arsimtares Afërdita Misimi. Ata po pretendojnë se po abuzon me fëmijët dhe se e njëjta po i kërcënon me jetë.

Zijavere Krasniqi, kryetare e këshillit drejtues të kësaj shkolle thotë se sot janë mbledhur në shenjë pakënaqësie ndaj DKA-së dhe gjykatave.

Krasniqi thotë se nuk do të largohen nga oborri i shkollës dhe se nuk do të lejojnë hyrjen e arsimtares së historisë, deri sa të merret vendimi për të.

Siç thotë ajo, kjo arsimtare do të duhej të ishte në shkollë nga ora 08:00, por e njëjta nuk ka ardhur. Edhe pas të premtes kur ishte raportuar për këtë rast, Krasniqi tregon se ka pasur kërcënime nga ana e saj.

Drejtori i kësaj shkolle, Agron Mexhuani deklaron se nuk është hera e parë që po përballen me një gjë të tillë.

Sipas tij, stafi i shkollës janë duke u përballur me kërcënime dhe presione.

Kjo arsimtare  kishte ardhur nga shkolla “Pjetër Bogdani”, para dy vitesh dhe e njëjta ishte suspenduar në fund të gushtit të vitit 2018. Por, ajo është rikthyer në shtator të këtij viti me vendim të gjykatës.

Mexhuani tregon se ka pasur probleme të vazhdueshme me të gjatë gjithë kohës.

Arsimtarja e Historisë, Afërdita Misimi, e cila pasdite erdhi në shkollë mohon se ka përdorur dhunë ndaj fëmijëve.

Ajo tregon se në këtë shkollë është kthyer me vendim të gjykatës.

Ajo mes tjerash thotë se asnjëherë nuk ka kërcënuar fëmijët, derisa shton se pavarësisht se Këshilli i Prindërve e kundërshton atë, do të vazhdojë të shkojë në shkollë.

“ Unë jam mësimdhënëse jo e vështirë, por principiele. Po do të vazhdoj se fëmijët i kam prapa”, thotë Misimi.

Ndryshe ishte njoftuar se nxënësit për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre, kishin organizuar edhe nënshkrimin e një peticioni për shkarkimin e saj, por e njëjta i kishte kërcënuar ata pasi kishte kuptuar këtë gjë.

KosovaPress ka provuar të kontaktojë me drejtoreshën për Arsim në komunën e Prishtinës Shpresa Shala por kontakti me të ka qenë i pamundur. Drejtoria për Arsim e Prishtinës nuk ka reaguar deri në orët e pasdites.


MË SHUME NGA Nacionale