Iniciativa për mini shengenin e dëmshme

Iniciativa për mini shengenin e dëmshme

Iniciativa për krijimin e një mini shengeni brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor fuqizojnë Republikën e Serbisë brenda rajonit.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike dhe politike në vend, duke shtuar se e vetmja perspektivë e rajonit për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave është Bashkimi Evropian.

Kundërshtimi i iniciativës për krijimin e një mekanizmi të quajtur mini shengen brenda vendeve të Ballkanit nga ana e autoriteteve kosovare, po vlerësohet nga njohësit e zhvillimeve në vend. Njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, i tha Radio Kosovës se kjo nismë është në interesin e Serbisë, pasi ka GDP-në më të lartën në rajon dhe është fuqia ekonomike e rajonit.

"Prapa kësaj ideje për mini shengen fshihet ideja për një union doganor, i cili është interes kryekëput i Serbisë dhe pasojat më të mëdha do t’i vuajnë vendet e vogla siç është Kosova dhe Mali i Zi . Qëndrimet e autoriteteve kosovare të tanishme por edhe qeveria në ardhje, duhet të jenë refuzuese për sa i përket këtyre iniciativave për arsye se idetë për krijimin e federatave ish jugosllave i takojnë të kaluarës. Perspektiva e Kosovës është e orientuar drejtpërdrejtë përmes mekanizmit të MSA-së drejt BE-së dhe çdo surrogate i këtij procesi unë mendoj, se është i dëmshëm edhe për Kosovën edhe për rajonin', tha ai.

Edhe njohësi i së drejtës ndërkombëtare, profesor Afrim Hoti, thotë se në rrethana të tjera, vendet sovrane mund të ndërmarrin iniciativa të tilla, por në rastin e Kosovës është ndryshe, pasi ajo nuk njihet nga dy shtete të Ballkanit .

"Kosova nuk ka hequr dorë praktikisht, por para heqjes dorë nuk është ftuar nga organizatorët e kësaj ideje për faktin se Kosova ka problem me një ose dy vende të Ballkanit të cilat refuzojnë ta njohin edhe de jure, sepse nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptonte që mund të bëhet vetëm nga shtetet që njohin njëra tjetrën dhe që nuk kanë asnjë lloj kontestimi juridik ndërkombëtar dhe mbi këtë bazë Kosova praktikisht nuk është ftuar që të jetë pjesë e këtij evenimenti dhe sipas mendimit tim, kjo nuk do të ishte ndonjë benefit ose ndonjë e arritur e madhe e Kosovës", tha ai.

Edhe sipas Hoti, kjo vetëm e fuqizon edhe më tej pozicionin e Serbisë karshi Ballkanit:

"Është qëndrimi, dëshira dhe vullneti e plani i saj për të shtrirë ndikimin në Ballkan, sepse deshëm apo nuk deshëm të pranojmë është fakt që Serbia është fuqia më e madhe në Evropën Juglindore për prodhim e për aspekte të tjera ekonomike dhe derisa lufton luftën kah BE-ja dhe vendet e tjera, ajo dëshiron të sigurojë një lloj dominimi për Ballkanin, dhe ky dominim do të duhej të bëhej nga ky konstruksion që po quhet si mini shenjen, ku njerëzit dhe mallrat edhe të vendeve të tjera, por me theks të posaçëm prodhimet serbe, do të mund të shëtisnin, do të mund të lëviznin lirshëm në Ballkan gjë që do t’i krijonte stabilitet dhe pozitë dominonte Serbisë në raport me vende të tjera", tha ai.

Edhe Gashi thotë se kriter i Serbisë për integrim evropian do të ishte fqinjësia e mirë me Kosovën:

"Përderisa Serbia ka politikë armiqësore jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj Bosnjës dhe fqinjëve të tjerë, atëherë nuk mund të flasim për normalizim me Serbinë. Çdo iniciativë që ka tendencë për të zëvendësuar procese ne integrimit evropian, mendoj se duhet të refuzohet jo vetëm nga Kosova por edhe nga vendet e tjera më saktësisht nga Shqipëria", tha ai.

Ideja e mini-shengenit ka filluar muajin e kaluar në Novi Sad dhe ka për qëllim qarkullimin e mallrave brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor pa taksa doganore ku përfituesi më i madh pritet të jetë Serbia, dhe më i dëmtuari do të ishte buxheti i Kosovës.

Autor: Rrezarta Zekaj ,Radio Kosova


MË SHUME NGA Aktuale