“Prenk Jakova”, ende pa objekt ku zhvillohet mësimi

“Prenk Jakova”, ende pa objekt ku zhvillohet mësimi

Nxënësit dhe personeli i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë, për më shumë se gjashtë vite procesin mësimor janë duke e zhvilluar në kushte shumë të pa përshtatshme në objektin e Shkollës së Mjekësisë “Ali Sokoli”. Objekti i vjetër i kësaj shkolle është rrënuar në vitin 2013 dhe deri më tani komuna nuk ka ndërmarrë asgjë për ndërtimin e objektit të ri. 

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë, ende nuk e ka të zgjidhur në mënyrë adekuate problemin e objektit ku zhvillohet mësimi.  Drejtoresha e kësaj shkolle, Violeta Krasniqi, tha për Radio Kosovën se tash një kohë të gjatë po përballen me mungesë të kushteve elementare për zhvillimin e procesit mësimor.

“ Në këtë objekt po na mungon salla e koncerteve, klasat duhet të jenë të izoluara. Ky është kriteri elementar dhe kjo po na pengon se po dëgjohet zëri prej një klase në klasën tjetër.“

Drejtoresha Violeta Krasniqi tha se gjatë një takimi që kanë pasur me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i kemi shpalosur të gjitha kërkesat, përkatësisht nevojat e shkollës, por edhe më tutje nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete për këtë.

“ Ne vetëm një takim e kemi pasur, ku na është kërkuar për të bërë një plan për të treguar se sa  klasë na duhen dhe për madhësinë e tyre. Dhe me tutje nuk kemi ndonjë informacion se çfarë ka ndodhur.” 

E drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, i tha Radio Kosovës se projekti për rregullimin e hapësirave në objektin e ish Shkollës Amerikane, është planifikuar në buxhetin e vitit 2020.

“ Është futur në buxhet të vitit të ardhshëm dhe ajo do bëhet “Qendër Kulturore” dhe në kuadër të saj do të jetë edhe shkolla e Muzikës. Ka shumë punë, se duhet të bëhen rinovime, duhet të përshtaten hapësirat e ASK-së për Shkollën e Muzikës, sepse duhet të bëhen izolimet akustike, duhet të përshtaten sallat dhe të krijohen klasat individuale.” 

Shkolla “Prenk Jakova” vite më parë e ka lënë objektin e vjetër të shkollës së tyre afër Shkollës “Elena Gjika”, me premtimin se do t’u ndërtohet objekti i ri po në atë vend. Mirëpo, punimet ndonëse patën  filluar janë ndërprerë.  

 

Autor: Ardiana Hajzeri, Radio Kosova