Dimër i parakohshëm në ShBA, bora shkakton viktima dhe anulim fluturimesh

Dimër i parakohshëm në ShBA, bora shkakton viktima dhe anulim fluturimesh

Masat e ftohta të ajrit, të ardhura nga Arktiku, kanë sjellë temperatura shumë të ulëta dhe reshje të mëdha të borës në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Rekordi i temperaturës më të ulët për këtë periudhë të vitit u shënua në Kansas dhe Illinois. Parashikuesit e motit thanë se gjatë javës mund të thyhen edhe disa rekorde të tjera.

Katër persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku të shkaktuara nga moti i lig dhe më shumë se një mijë fluturime janë anuluar. Në disa zona është ndërprerë edhe procesi mësimor.

Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se masat e ftohta të ajrit e kanë prejardhjen nga Siberia dhe do të mbizotërojnë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara.

Rekordi i temperaturës së ulët për pjesën e parë të nëntorit u shënua në disa qytete në Kansas. Temperatura më e ulët u shënua në Garden City, ku treguesi i termometrit zbriti në -18 gradë.

Reshje të rralla të borës janë shënuar edhe në qytetin Brownsville të Teksasit, afër kufirit me Meksikën. Meteorologu Kevin Birk tha se këto temperatura janë më të zakonshme për mesin e janarit, sesa për mesin e nëntorit.

Zyrtarët njoftuan se një vajzë 8-vjeçare vdiq pasi u godit nga një kamion që e humbi kontrollin në një rrugë me ngrica. Në Michigan, tre persona e humbën jetën në një aksident që besohet se u shkaktua gjithashtu nga ngricat në rrugë. Ky shtet është përfshirë nga reshjet e mëdha të borës, shkruan “BBC”