Dy të vdekur nga vërshimet në Venecia

Dy të vdekur nga vërshimet në Venecia

Kryetari i Venecias pritet ta shpallë gjendjen emergjente pasi qyteti i famshëm u godit nga batica më e lartë në 50 vjetët e fundit. Vërshime të reja priten në pjesën e fundit të ditës dhe ekziston frika se ato do të shkaktojnë dëme të mëdha.

Një burrë i vjetër humbi jetën pasi u godit nga rryma elektrike përderisa po e përdorte një pombë elektrike për largimin e ujit. Më vonë, trupi i një personi tjetër u gjend në shtëpinë e tij.

Autoritetet thanë që më shumë se 85 për qind e qytetit është prekur nga vërshimet, përfshirë zonat historike dhe disa sheshe. Ndonëse niveli i ujit filloi të bjerë, një vërshim i ri pritet në mbrëmje.

Valët e pazakonta arritën lartësinë në 1.87 metra, ndërsa autoritetet e aktivizuan alarmin e vërshimeve pranë kanaleve ujore të qytetit.

“Tash për tash jemi duke e përjetuar një baticë jashtëzakonisht të lartë. Të gjithë janë mobilizuar për t’u përballur me këtë situatë emergjente”, tha kryetari i Venecias, Luigi Brugnaro.

Vetëm një herë në histori që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 1923, qyteti e kishte përjetuar në baticë më të lartë. Kjo kishte ndodhur në vitin 1966, kur batica e kishte arritur nivelin e 1.94 metrave, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.