Fillon edicioni i 19-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë

Fillon edicioni i 19-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë

Që nga sot e deri me 18 nëntor në Kosovë do të mbahet festivali i Filmit Frankofon, që këtë vit tematika e cila zë vend në filmat e këtij festivali është komedia.

Hapja e festivalit do të bëhet sot në ora 19:30, në Kino Armata, me shfaqjen e filmit premier “L’Esprit de famille” nga Eric Besnard. Ndërsa, pjesë e programit do të jenë komeditë nga Belgjika, Zvicra dhe Franca, që këtë edicion do të udhëtojnë në kinematë e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Pejës dhe Gjakovës.

Risi për këtë edicion do të jetë edhe filmi kosovar “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, nga Kushtrim Bekteshi, film i cili ishte edhe pjesë e Festivalit ndërkombëtar në Nancy të Francës.

Në një konferencë për media, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, tha se këtë vit e kanë përzgjedhur që të nderojnë komedinë dhe humorin.

Ajo tha se Kosova është një akter i vërtetë në botën e filmit të Frankofonisë. Kjo sipas saj, është arsye pse kanë vendosur që sivjet të nderojnë krijimtarinë bashkëkohore kosovare duke dekoruar me urdhrin e artëve dhe letrave regjisoren frankofone Blerta Zeqiri. 

Ndërsa, Albert Prenkaj, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, u shpreh se cdo vit organizohen aktivitete të ndryshme për promovimin e frankofonisë në Kosovë.

Pauline Menthonnex nga ambasada e Zvicrës në Kosovë, tha se kinematografia përbënë një mjet të jashtëzakonshëm për të trajtuar stereotipat, por edhe për të qeshur. 

Mbështetje për Festivalin e Filmit Frankofon në Kosovë ka premtuar drejtoresha për Kulturë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti.

Festivali i filmit do të mbyllet më 18 nëntor në ora 19:00 në KINO ARMATA me filmin nga Luksemburgu “Superjhemp Retorns” nga Felix Koch.

Festivali i Filmit Frankofon në Kosovë organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze të Prishtinës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.