Rugova e Munishi në emisionin “Dardanët” besojnë në fitoren e Kosovës

Rugova e Munishi në emisionin “Dardanët” besojnë në fitoren e Kosovës

“Këta djem po bëjnë punë të madhe. Edhe nëse Kosova nuk kualifikohet, megjithatë, këta djem i kanë bërë krenar gjithë shqiptarët”.

Kështu mendojnë ish-përzgjedhësi i Kosovës, Edmond Rugova dhe trajneri aktual i Ballkanit, Ismet Munishi.

Rugova dhe Munishi sonte në emisionin “Dardanët” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), kanë analizuar kombëtaren tonë, në prag të përballjes me Çekinë, sfidë kjo që luhet nesër mbrëma në Plzen të Çekisë, në ndeshjen vendimtare për të dy skuadrat në rrugën për kualifikim në EURO 2020, raporton RTKLive.com.

Rugova thotë se është i lumtur që Kosova tashmë gjendet në këtë nivel. Ai e pranon se në kohën kur ai drejtonte skuadrën “dardane” ishin kushte më të vështira, por Rugova thotë së ka qenë i bindur se përfaqësuesja jonë, ka lojtarë kualitativ.

“Tash po luajmë më Anglinë dhe me skuadra të mëdha. Nuk teprohet nëse them se kemi qenë entuziastë edhe atëherë, sepse kemi djem të mirë jashtë dhe brenda, dhe kam prit se rezultat nuk do të mungojnë”, tha Rugova.

“Jam krenar më këta djem, edhe nëse nuk kualifikohet. Këta djem kanë arritur një sukses të madh”, theksoi ish-futbollisti i gjeneratës së artë.

Ndërkaq, trajneri Ismet Munishi nuk ka pritur së Kosova sot do të “luftojë” për vendin e dytë që qon në Evropian. Ai është i bindur se Kosova nëse do të ketë paraqitje të mirë, dhe sipas tij, gjasat janë të mëdha që skuadra jonë të dal me rezultat pozitiv nga Çekia.

“Kam menduar që të ‘luftojmë’ me Malin e Zi dhe Bullgarin, vendi i katërt dhe i pestë, por që ne do të vijmë në këtë ditë dhe të bëhemi protagonist nuk e kam pritur, dhe nesër gjasat janë që të marrim rezultat të mirë”, pohoi Munishi.

“Është një punë e madhe e të gjithëve, të gjithë njerëzve të cilët në periudha të ndryshme e kanë mbajtur gjallë futbollin. Dhe tash këta djem po japin 100 përqindeshin dhe jemi këtu ku jemi”, tha trajneri prishtinas.

Kujtojmë se ndeshja mes Çekisë dhe Kosovës luhet nesër mbrëma në orën 20:45.   

Autor: RTKLive