Nadal epik, përmbysje e pabesueshme ndaj Medvedev

Nadal epik, përmbysje e pabesueshme ndaj Medvedev

Rafael Nadal ktheu disavantazhin e dy “gameve”-ve me “break” ndaj numrit 4 të botës, Daniil Medvedev, për të regjistruar një ndër përmbysjet më të mëdha në karrierën e tij.

Në turneun përmbyllës të 8 tenistëve më të mirë në rruzull, numri 1 i botës, që ditën e hënë u mund keqaz nga kampioni në fuqi, Sascha Zverev, u duk krejtësisht i pashpresë, teksa ishte duke humbur 5-1 në setin final, madje në “game”-in e shtatë tenisti rus kryesonte 30-40 dhe kishte “match point” në dispozicion, megjithatë Rafa përfitoi në maksimum edhe nga euforia, naiviteti dhe lëshimi në njëfarë mënyre i 23-vjeçarit moskovit, për të siguruar suksesin e parë në këtë edicion jubilar të ATP World Tour Finals.

Në turneun e 50-të të 8 tenistëve më të mirë të sezonit, 33-vjeçari spanjoll ishte i shtrënguar për të fituar patjetër duelin me tenistin rus, për të mbajtur të gjalla shpresat si për një kualifikim të mundshëm ashtu edhe për mbrojtjen e fronit të këtij sporti nga sulmi i tenistit nga Serbia, Novak Djokovic, që të martën në mbrëmje pësoi humbjen e 5-të në 6 përballjet e fundit me austriakun Dominic Thiem. Medvedev, në krahun tjetër, që ditën e hënë pësoi disfatën e parë në karrierë në 6 përballjet me 21-vjeçarin nga Greqia Stefanos Tsitsipas, konsiderohej si një ndër tenistët më në formë, sepse përpara se të mundej në Paris – Bercy nga francezi Jeremy Chardy, numri 4 i botës kishte siguruar minimalisht kualifikimin për në finale në 6 turnetë e fundit ku kishte marrë pjesë.

Tenisti iberik e filloi më mirë ndeshjen, i nxitur edhe nga bilanci pozitiv në sfidat e mëparshme ndërmjet tyre, në të dy rastet gjithsesi bëhej fjalë për finale. Kështu, në Montreal, tre muaj më herët, në finalen e Mastersit Kanadez, Rafa i la vetëm 3 “game” gjithsej shtatlartit rus, ndërsa në New York, në finalen e luajtur në Flushing Meadows, Nadali pati nevojë për pesë sete dhe plot pesë orë lojë për të thyer 6-4 në setin përcaktues kundërshtarin e tij.

Në setin hapës u regjistrua vetëm një mundësi për “break”, në “game”-in e shtatë, por, sidoqoftë, Medvedev nuk e shfrytëzoi dhe gjithçka shkoi në “tie break”. Rafa kryesoi 3-2, megjithatë Medvedevi mori 5 pikë radhazi, për të koleksionuar setin e parë në diçka më pak se një orë lojë. Në setin pasardhës, 33-vjeçari nga Manakori sulmoi që në start, duke i rrëmbyer që në “game”-in hapës shërbimet kundërshtarit të tij.

Medvedev u pa i nervozuar për pjesën më të madhe të këtij seti dhe, për rrjedhojë, me nga një “game” me “break”, pikërisht në fillimin dhe fundin e këtij seti, Nadali barazoi shifrat pa shumë vështirësi. Tenisti moskovit dominoi plotësisht gjysmën e parë të setit final, për t’u shkëputur 4-0, madje edhe në “game”-in e pestë 23-vjeçari shpërdoroi dy mundësi të tjera për të fluturuar në epërsinë 5-0, gjithsesi, pikërisht në ato momente, mori udhë edhe përmbysja e pabesueshme, sepse, i shtyrë nga publiku dhe nga mendjelehtësia e kundërshstarit, që nënvlerësoi situatën dhe e mendoi të mbyllur përpara kohe takimin, Rafa ktheu gjithçka.

Numri 4 i botës fitoi me 0 “game”-in e 6-të dhe kryesoi 5-1, sidoqoftë pasi i anuloi një mundësi për ndeshjen kundërshtarit, Nadali rekuperoi shpejt e shpejt dy “game”me “break” disavantazh që kishte. Në mbyllje, në “tie break”, nga 4-3 për tenistin rus, Rafa siguroi tri pikët e fundit të sfidës, për të fituar krejt takimin me rezultatin 6-7, 6-3, 7-6 në afërsisht tre orë lojë, transmeton SS.

Fitorja e parë në Grupin “Andre Agassi” për tenistin nga Mallorca, që edicionin e kaluar mungoi në ATP World Tour Finals, sukses që bën të mundur rikuperimin e 200 pikëve kundrejt rivalit të tij Novak Djokovic, në betejën mes tyre për të mbyllur vitin në fronin e këtij sporti, duke e çuar kështu avantazhin e Rafës sërish në 640 pikë kundrejt Noles, për më tepër numri 2 i botës rrezikon ndjeshëm skualifikimin, teksa do të matë forcat të enjten, në mbrëmje, pikërisht me rekordmenin e këtij turneu, Roger Federer, dhe një disfatë në atë takim e 32-vjeçarit nga Serbia do të garantonte qëndrimin e tenistit të famshëm spanjoll në pozicionin më të lartë të renditjes ATP.