Haradinaj: Kongresi i Manastirit, shtyllë historike në identitetin shqiptar

Haradinaj: Kongresi i Manastirit, shtyllë historike në identitetin shqiptar

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kongresi i Manastirit doli të jetë shtylla e një fillimi të rëndësishëm për identitetin shqiptar me qëllim të madh kombëtar.

Haradinaj në 111 vjetorin e asaj që njihet si Kongresi i Alfabetit, përmes Facebook-ut, tha se të gjithë shqiptarët u mblodhën për një kauzë historike.

”111 vjet më parë në Manastir filluan punimet drejt krijimit të një alfabeti të njehsuar të gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit, mblodhi patriotë e intelektualë anembanë trojeve shqiptare për t’i bërë bashkë rreth një kauze historike. Ky kongres do të ishte shtylla e një fillimi shumë të rëndësishëm në identitetin shqiptar që bashkoi të gjithë, pa dallim, për një qëllim të madh kombëtar”.

Më 14 nëntor 1908 në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, me qëllim krijimin e një alfabeti të njehsuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarë shqiptare.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj.