Sektet më vdekjeprurëse dhe të rrezikshme në botë

Sektet më vdekjeprurëse dhe të rrezikshme në botë

Sektet janë grupime njerëzish shumë të mbyllura, por sot do t’ju prezantojmë me ata që në historinë e njerëzimit janë zbuluar se janë shumë të rrezikshëm për shoqërinë dhe vdekjeprurës për vetë anëtarët e tyre.

Kisha e Bashkimit - E themeluar në vitin 1954 në Korenë e Jugut nga Sun Myung Moon, kjo kishë u transferua më pas në SHBA. E veçanta e këtij sekti është celebrimi i martesave masive dhe ka hyrë në librin e rekordeve Guinness për më shumë shkëmbime unazash në të njëjtën kohë. Anëtarët e këtij sekti ndjekin në mënyrë strikte konservatorizmin e krishterë, kanë sjellje homofobike dhe anti-Semite.

Ata thonë se Krishti dështoi në misionin e tij dhe zhgënjeu Zotin pasi nuk u martua dhe Moon thotë se është i dërguari i ri i Zotit për të përmbushur misionin e Krishtit dhe për të zgjidhur problemet në Tokë.

Familja Manson - Ndoshta është sekti më i famshëm në histori. Të rinjtë që e ndiqnin sektin e Charles Manson në fund të viteve ’60 vranë disa persona dhe me gjakun e tyre shkruanin në mure tekstet e këngëve të Beatles. Sekti përbëhej më shumë nga vajza të reja, të cilat pranonin të ishin shërbëtore dhe prostituta të Manson.

Shumë ekspertë thonë se Manson kishte një aftësi të madhe për të manipuluar mendjen e ndjekësve të tij, deri aty sa t’i bindte për të vrarë me gjakftohtësi dhe të ishin rrezik për shoqërinë. Me pretendimin se një luftë mes racash po afrohej dhe se njerëzit me ngjyrë do të vrisnin të bardhët, bëri që ndjekësit e tij të besonin se do të ishin sipër personave me ngjyrë dhe do të udhëhiqnin kombin.

Ky sekt ka vrarë gruan e regjisorit Roman Polanski, Sharon Tate, dhe gruan e biznesmenit Leno LaBianca.

Tempulli i fshatit - Në mes të një pylli në Amerikën e Jugut, James Warren Jones, një burrë i njohur si prifti Jim Jones arriti që 900 persona të kryenin vetëvrasje në masë. Warren ishte krijuesi i sektit “Tempulli i fshatit”, që ishte kundër kapitalizmit të shfrenuar. U përpoq të krijonte një shoqëri socialiste në Guyana, një vend që më shumë dukej si kamp përqendrimi i izoluar. Sekti u krijua në Indianapolis në vitet ’50 dhe më vonë u transferua në Kaliforni. Më pas, lëvizën në Guyana, ku thuhet se anëtarët e sektit hanin vetëm oriz dhe perime, ndërsa udhëheqësi i sektit hante mish dhe ushqime të tjera të freskëta, pasi vetëm ai kishte frigorifer.

Ata që nuk silleshin mirë mbylleshin në kuti druri të vogla dhe ata që përpiqeshin të arratiseshin drogoheshin derisa ngelnin me pasoja për të gjithë jetën. Një polic i zonës tha se sekti kishte një gropë ku fuste fëmijët dhe i torturonte ata gjatë natës. Familjarët e anëtarëve të sektit i kërkuan qeverisë që të ndërhynte dhe kongresisti i Kalifornisë, Leo Ryan shkoi në këtë vend me një ekip televizioni për të hetuar atë që po ndodhte. Ai, së bashku me disa anëtarë të sektit, u përpoqën të ktheheshin në SHBA, por rojet e Warren Jones i qëlluan me armë.

Më pas, të gjithë anëtarët e sektit u urdhëruan që të kryenin vetëvrasje. Atyre iu dha një pije me cianur dhe qetësues, ndërsa vetë Warren Jones u vetëvra me armë zjarri. Vetëm 33 anëtarë të këtij sekti mbijetuan.

Porta e Parajsës - Një sekt që thonte se Tokën do ta pushtonin alienët, që do të vinin me kometën Hale-Bopp. E udhëhequr nga Marshall Appleëhite, anëtarët e sektit besonin se Toka do të pastrohej dhe riciklohej nga jashtëtokësorët. Applewhite bindi 39 anëtarët e sektit që të vrisnin veten në mënyrë që shpirti i tyre të hipte në një anije hapësinore që ndodhej pas kometës.

Ndjekësit vdiqën duke gëlltitur cianur dhe arsenik të përzier me vodka. Kur policia gjeti trupat e tyre, ata ishin të shtrirë në shtrat, me gjoksin dhe fytyrën të mbuluar me një shami vjollcë, një kartëmonedhë 5-dollarëshe dhe 75 cent në xhep, të veshur të gjithë me të zeza dhe me një shirit në dorë ku shkruhej: “Portat e qiellit, vizitorët”.

Kjo ngjarje ka ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë, në një shoqëri që jetonte me frikën e një bombe bërthamore që mund të shkaktonte vdekjen e mijëra personave.

Aum Shinrikyo - E themeluar nga Shoko Asahara në vitin 1984, sekti japonez që përkthehet “E vërteta supreme” është i famshëm për sulmin me gaz sarin në metronë e Tokios, ku vdiqën 12 persona. Nisi si një klasë joge, por u kthye në organizatë fetare në vitin 1989, me rituale pranimi që përfshinin kontrollin mendor dhe prova fizike ekstreme.

Anëtarët e sektit ishin të bindur se bota do të shkatërrohej nga një Luftë e Tretë Botërore dhe ata do të ishin të vetmit që do të mbijetonin. Arma e tyre e preferuar ishin agjentët kimikë ose biologjikë. Në tetor 1989 vranë një avokat dhe gruan bashkë me djalin e tij, pasi ishin shprehur kundër kultit. Në vitin 1994 vranë 8 persona në Nagano.

Gjatë një kontrolli policor në qendrën e sektit u gjetën armë kimike që ishin në gjendje të vrisnin më shumë se 4 milionë persona. Aty kishte edhe laboratorë metamfetamine dhe miliona dollarë. Udhëheqësit e sektit u dënuan me vdekje, por grupi nuk u zhduk. Pas atentatit në Tokio ndërruan emrin në Aleph dhe mendohet se kanë vazhduar sulmet e tyre edhe në vitet në vazhdim.

Lëvizja për rikthimin e 10 Urdhëresave - Në vitin 1978, një ish-prostitutë e njohur si Credonia Mwerinde tha se Virgjëresha Maria i ishte shfaqur dhe që prej asaj dite nisi një lëvizje katolike shumë strikte që kërkonte nga njerëzit që të zbatonin 10 Urdhëresat pikë për pikë. Sekti arriti të kishte rreth 5000 ndjekës, që përzinin elementë kulturorë të Ugandës me besimin e krishterë.

Anëtarët mund të hanin vetëm një vakt në ditë, punonin shumë dhe kishte periudha që nuk flisnin dhe nuk flinin. Ata mendonin se fundi i botës do të vinte në vitin 2000 dhe pasi ky vit erdhi dhe asgjë nuk ndodhi, anëtarët nisën të rebeloheshin. Udhëheqësit u thanë se në 17 mars do të ishte gjykimi i fundit dhe me këtë rast organizuan një festë. Në këtë festë erdhën rreth 500 persona dhe ndërtesa ku u mblodhën shpërtheu. Ata anëtarë që nuk shkuan në festë u gjetën më vonë të helmuar ose të vrarë me thikë.

Urdhri i Tempullit të Diellit - Në vitin 1973, Joe Di Mambro krijoi kultin fetar të njohur si “Qendra e përgatitjes për epokën e re”. Në vitin 1984 sekti i tij mori emrin “Urdhri i tempullit të Diellit”. Luc Jouret, një mjek belg, u lidh shumë me sektin dhe shumë shpejt u bë lideri i tij. Sekti kërkonte me ngulm Gralin e Shenjtë dhe donte të përgatiste Botën për ardhjen e dytë të Krishtit.

Në vitin 1994 vranë një çift të ri dhe beben e tyre në qendër të Kebekut sepse mendonin se i porsalinduri ishte Antikrishti. Foshnja u vra me 6 goditje thike.

Në ditët në vijim mendohet se sekti ka vrarë edhe 70 persona të tjerë, shumica e të cilëve vetëvrasje anëtarësh. Thuhet se sekti është aktiv edhe sot.