​Plan për heqjen e barrierave jotarifore dhe tarifore Kosovë-Shqipëri

​Plan për heqjen e barrierave jotarifore dhe tarifore Kosovë-Shqipëri

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka thotë se ndërmjet bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës po vazhdojnë barriera të pajustifikueshme.

Sipas tij, duhet të ketë një plan veprimi për t’u hequr barrierat jotarifore dhe tarifore, në mënyrë që kosto e lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas mos të rrisë kostot e sipërmarrjes në të dy vendet.

Nikolin Jaka në një intervistë për KosovaPress, thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi në sinkron me procesin e Berlinit, i cili si agjendë është integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor brenda ekonomisë së vet, në mënyrë që të përformojë siç duhet në ekonominë evropiane.

Ai shtoi se janë në pritje të formimit të Qeverisë së re të Kosovës, në mënyrë që t’ua dorëzojnë qeverive, në të dy anët e kufirit, agjendën e cila paraqet kushtet konkrete që përfshijnë heqjen e barrierave.

Plani është i hartuar nga forumi kombëtar ekonomik që përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, dhe përmban 20 pika për heqjen e pengesave në mes tre shteteve.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë thotë se duhet parë vullnetin e politikanëve, se a duan të heqin kufijtë ekonomik në mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo vetëm mbajnë mbledhje të panumërta.