Bagdad, shpërthim gjatë protestave në sheshin Tahrir, disa të vdekur

Bagdad, shpërthim gjatë protestave në sheshin Tahrir, disa të vdekur

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me bombë në afërsi të sheshit Tahrir në kryeqytetin irakian .

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me bombë në afërsi të sheshit Tahrir në kryeqytetin irakian Bagdad, qendrës së protestave antiqeveritare në vend.

Sipas burimeve të sigurisë, bomba e shpërthyer ka qenë e vendosur në një automjet të parkuar në afërsi të sheshit.

Zhurma e krijuar nga shpërthimi është dëgjuar në shumë zona të qytetit.

Iraku ka qenë skenë e protestave masive të cilat filluan muajin e kaluar kundër kushteve të këqija të jetesës dhe korrupsionit të shfrenuar, por u shndërruan në kërkesa për largimin e qeverisë së kryeministrit Adel Abdul-Mahdi.

Sipas Komisionit të Lartë irakian për të Drejtat e Njeriut, të paktën 325 persona janë vrarë dhe rreth 15.000 janë plagosur që prej fillimit të demonstratave më 1 tetor.