Gjermania arreston të dyshuarën e DEASH-it të deportuar nga Turqia

Gjermania arreston të dyshuarën e DEASH-it të deportuar nga Turqia

Nasim A. 21 vjeç, akuzohet se ka qenë anëtare e organizatës terroriste.

Autoritetet gjermane kanë arrestuar të dyshuarën e organizatës terroriste DEASH e cila u kthye në vend të premten me dyshimin për vepër të terrorizmit, ka njoftuar zyra e Prokurorisë Federale.

Nasim A., 21 vjeçe, një nga dy luftëtaret e huaja femra, u deportua nga Turqia të premten, nën akuzën për anëtarësim në një grup terrorist, shkelje të ligjeve për armë dhe kryerje të krimeve të luftës.

Shtetasja gjermane besohet të ketë udhëtuar për në Siri në vitin 2014 dhe më vonë është transferuar në Irak me burrin e saj, i cili ishte gjithashtu anëtar i grupit terrorist DEASH.

Heida R., e dyshuara e tjetër e DEASH-it e deportuar nga Turqia të premten, u la e lirë pasi policia gjermane mori gjurmët e gishtërinjve dhe mostrat e ADN-së.

Që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011, më shumë se 1.050 luftëtarë të huaj udhëtuan nga Gjermania për në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, sipas agjencive gjermane të sigurisë.

Turqia filloi javën e kaluar deportimin e luftëtarëve të huaj që u kapën në operacionet antiterroriste brenda dhe jashtë vendit, për në vendet e tyre të origjinës.

Çështja e trajtimit të anëtarëve të DEASH-it dhe familjeve të tyre të arrestuar në Siri, përfshirë pjesëtarët e huaj të grupit terrorist, ka hapur diskutime, ndërkohë që Turqia argumenton se terroristët me origjinë të huaj duhet të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.

Teksa në njërën anë ka kritikuar disa vende evropiane për mospranimin e riatdhesimit, Turqia ka vlerësuar hapat e fundit të Gjermanisë për pranimin e anëtarëve të dyshuar të DEASH-it./aa/